English

Dorëhiqen 21 drejtorët e bashkisë së Tiranës: Kryebashkiaku i ri pa legjitimitet moral

Tiranë, 18 korrik 2011, NOA – Pas dorëheqjes më herët të dy ish-nënkryetareve të bashkisë së Tiranës, Albana Dhimitrit dhe Vali Bizhgës si edhe anëtarëve të kabinetit të ish-kryebashkiakut Edi Rama sot janë dorëhequr edhe 21 drejtorët e sektorëve përkatës të bashkisë së kryeqytetit.

Këtë vendim drejtorët e bashkisë e lajmëruan pak minuta më parë përmes një deklarate publike.

Drejtorët e bashkisë së Tiranës që punuan gjatë 10 viteve kur ky institucion u qeveris nga kryetari socialist Edi Rama deklaruan se heqin dorë nga funksionet e tyre pasi nuk e njohin lidershipin e ri të bashkisë së Tiranës, i shpallur post zgjedhjeve vendore të 8 majit, duke nënvizuar se ai nuk ka legjitimitet moral.

Ish-drejtorët e bashkisë vlerësuan përkushtimin e tyre ndaj Tiranës dhe rezultatet e jashtëzakonshme për transformimin e kryeqytetit shqiptar dhe bashkisë në një institucion publik që përputhet plotësisht me standardet evropiane.

Drejtorët e argumentojnë dorëheqjen e tyre nga postet në bashkinë e kryeqytetit me faktin se ata nuk mund të jenë shërbëtorë të një pushteti politik që nuk përfaqëson asesi bashkinë e Tiranës.

Ata theksojnë se kanë punuar gjithnjë në shërbim të qytetit e qytetarëve, dhe nuk mund të punojnë aspak në varësi të orekseve të politikës.

“Këto kushte, të domosdoshme për një institucion, të ngritur mbi meritokracinë dhe respektin për vlerat e aftësitë e çdo individi, siç ishte në gjithë këto vite Bashkia e Tiranës, nuk ekzistojnë më. Fatkeqësisht, nuk ekziston më, as themeli moral, mbi të cilin ngrihet çdo institucion i pushtetit vendor, si shprehje e zgjedhjes së lirë e të ndershme të qytetarëve, të cilëve u shërben. Bashkia e Tiranës nuk përfaqëson më qytetin dhe qytetarët, por pushtetin politik, të tjetërsimit të vullnetit të tyre”, thuhet në deklaratën e dorëheqjes së drejtorëve të bashkisë.

Deklarata e dorëheqjes së parevokueshme nga detyra është firmosur nga 21 drejtorë të bashkisë së Tiranës, dhe lista kryesohet nga Administratori i Përgjithshëm i Tiranës, Dritan Agolli.

Dritan Agolli Administrator i Përgjithshëm Majlinda Duka Drejtor i Përgjithshëm Sonila Qato Drejtor i Përgjithshëm Albana Koçiu Drejtor i Përgjithshëm Viola Haxhiademi Drejtor i Përgjithshëm Irfan Dashi Drejtor i Përgjithshëm Arben Seferaj Drejtor i Përgjithshëm Androkli Kokthi Drejtor i Përgjithshëm Pal Doçi Drejtor i Përgjithshëm Joana Bushi Drejtor Drejtorie Flutura Pulaci Drejtor Drejtorie Enton Punavija Drejtor Drejtorie Afrim Qendro Drejtor Drejtorie Kujtim Spahiu Drejtor Drejtorie Anila Shehu Drejtor Drejtorie Hantin Bonati Drejtor Drejtorie Ogerta Manastirliu Drejtor Drejtorie Migena Vishko Drejtor Drejtorie Julian Zanaj Drejtor Drejtorie Zyhdi Dajti Kryeinspektor i Policisë Bashkiake Ardit Kaja Kryeinspektor i Inspektoriatit Ndërtimor

Kjo dorëheqje jepet pikërisht kur pritet që këtë javë të bëjnë betimin këshilltarët e rinj të Këshillit Bashkiak të Tiranës, pas betimit të të cilëve do të betohet edhe Kryetari i ri i Bashkisë, Lulzim Basha, i cili pritet të marrë detyrën sikundër parashikon ligji, jo më vonë se data 28 korrik.

Megjithatë ligji parashikon se ish-drejtorët e bashkisë së Tiranës duhet të dorëzojnë të gjithë dokumentacionin e bashkisë në një hark kohor brenda 40 ditësh.

Kështu që ende nuk dihet sesi do të dorëzohet ky dokumentacion i gjithë këtyre viteve drejtim në bashkinë e Tiranës, kur drejtorët e sapodorëhequr nuk njohin legjitimitetin e kryetarit të ri të bashkisë së kryeqytetit.

mit/NOA

KOMENTE
  • Nofulla20:39 - 18 Korrik 2011
    Besoj se ne humbjen e bashkise nga te majtet nje ndihmese te madhe kane dhene dhe "DREJTORET" ne largim me punen e "mire" qe kane bere.