English

Mbrojtja e konsumatorit, METE: Ligji i miratuar përputhet me legjislacionin e BE

Tiranë, 18 korrik 2011, NOA – Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës sqaroi sot se ndryshimet në ligjin “Për mbrojtjen e konsumatorit”, të miratuara javën e shkuar në parlament, përbëjnë një hap progresiv në përmirësimin e legjislacionit shqiptar mbi mbrojtjen e konsumatorëve.

Sipas METE-s miratimi i këtyre ndryshimeve, bën që ligji t’i përgjigjet më mirë interesave të konsumatorit, duke garantuar mbrojtjen e tij dhe mbi të gjitha përputhet plotësisht me legjislacionin e BE-së.

METE njoftoi se ndryshimet në fjalë janë pasqyrime të disa sugjerimeve thelbësore të bëra nga DG SANCO pranë Komisionit Europian në lidhje me disa saktësime në përkufizimin e termave “konsumator”, “praktikë tregtare”, si dhe përfshirjen e përkufizimeve të reja si “ftesë për blerje”, “mjet i qëndrueshëm”.

Ministria e Ekonomisë vlerëson se ndryshimet e miratuara për kontratat e kredisë konsumatore janë të një rëndësie të veçantë për mbrojtjen e interesave ekonomike të tyre.

Sipas saj është parashikuar në nenin 14 të tij detyrimi i tregtarëve për dhënien e informacionit me kërkesë të strukturave shtetërore për mbrojtjen e konsumatorëve, e shoqëruar me penalizimin përkatës në rast të mospërmbushjes së saj nga ana e tregtarëve.

“Një ndryshim thelbësor në projektligj është dhe dëmshpërblimi i konsumatorit me një akt të veçantë të marrë nga organi përgjegjës për shqyrtimin e kundravajtjeve administrative të këtij ligji, i cili është Komisioni për Mbrojtjen e Konsumatorit, në një kohë që deri tani ky dëmshpërblim bëhej vetëm nëpërmjet gjykatës”, thekson METE.

Në ndryshimet e miratuara, parashikohet që ministri përgjegjës për tregtinë të nxjerrë udhëzimin për trajtimin e ankesave që paraqiten nga konsumatorët, si dhe ngarkon Këshillin e Ministrave për përcaktimin e kritereve për mbrojtjen e konsumatorit, si dhe propozohet një rritje e nivelit të gjobave që lidhen me konstatimin e shkeljeve nga tregtarët.

“Në ligjin ekzistues niveli i gjobave varion nga 30 000 lekë në 100 000 lekë. Në ndryshimet e miratuar, në nenin 16, parashikohet vendosja e gjobave për shkelje konkrete të dispozitave të këtij ligji në vlerat 100 000, 200 000, 300 000 dhe 500 000 lekë”, deklarohet më tej.

Sipas METE-s në këtë projektligj propozohet Komisioni i Mbrojtjes së Konsumatorëve, në vend të Zyrës së Shërbimit Turistik, si strukturë përgjegjëse për ndjekjen, kontrollin dhe zbatimin e dispozitave për paketat (kontratat) e udhëtimit, një strukturë që do të rrisë përgjegjësinë në zbatimin e detyrimeve për mbrojtjen e interesave të konsumatorit.

mit/NOA

KOMENTE