English

Përfundon pa rezultat takimi i minatorëve me këshilltarët e kryeministrit

Tiranë, 18 korrik 2011, NOA – Ka përfunduar pa ndonjë rezultat takimi i minatorëve të Bulqizës me këshilltarët e kryeministrit Berisha.

Pas disa orësh protestë e dhjetëra minatorëve e nisur para godinës së Ministrisë së Ekonomisë dhe e vazhduar më pas deri para godinës së kryeministrisë, një përfaqësi e minatorëve u takuan me këshilltarët e kryeministrit për të kërkuar ndërhyrjen e shefit të qeverisë për plotësimin e kërkesave të tyre të domosdoshme.

Protesta e sotme në Tiranë erdhi pas dy javë protestash, që afro 700 minatorët e Bulqizës zhvilluan në mjediset e kompanisë koncensionare austriake ACR.

Minatorët e Bulqizës të përkrahur edhe nga minatorët Burrelit dhe Elbasanit i kërkojnë kompanisë austriake ACR të rrisë pagat e tyre me 20 përqind, t’u sigurojë përmirësimin e kushteve të punës dhe sigurinë e jetës së tyre në minierën e kromit, uljen e moshës së pensionit, si dhe moslejimin e firmave të tjera të shfrytëzojnë minierat pa koncension.

Kushtet në fjalë janë jetike për minatorët duke iu referuar edhe faktit se shumë syresh kanë humbur jetën duke punuar në minierë.

Minatorët gjatë protestës së sotme paralajmëruan se ata nuk do të ndalen pa arritur plotësimin e kërkesave.

Madje ata kërcënuan publikisht se do të përshkallëzojnë protestat e tyre edhe me bllokimin e rrugës kombëtare që lidh Tiranën me pjesën e sipërme të vendit.

Minatorët e Bulqizës kërcënuan se disa prej tyre do të hyjnë në grevë urie në rast të mosmarrjes parasysh të kërkesave të tyre jetike nga autoritetet.

mit/NOA

KOMENTE