English

Pushteti i nacionalizmit

"Foreign Policy"

Cila është forca më e fuqishme politike në botë? Disa prej jush mund të thonë se është tregu i aksioneve. Të tjerët mund të pohojnë se është besimi fetar ose të drejtat e njeriut.

Disa të tjerë mund të thonë se është teknologjia dixhitale apo mbase armatimi bërthamor. Të gjitha këto janë kandidatë për t’u cilësuar si forca më të fuqishme politike në botë, por është nacionalizmi në fakt forca që sundon botën.

Ishte pikërisht nacionalizmi, ai që çimentoi shumicën e fuqive evropiane në epokën moderne, duke i shndërruar ato nga shtete dinastish, në shtete-kombe.

Dhe ishte ideologjia nacionaliste ajo që ndihmoi në zhbërjen e perandorisë britanike, franceze, otomane, holandeze, portugeze, austro-hungareze dhe atë sovjetike.

Nacionalizmi, është arsyeja kryesore pse Kombet e Bashkuara kishin 50 vende anëtare menjëherë pas themelimit më 1945, ndërkaq sot numëron rreth 200 anëtarë.

Duke e kuptuar fuqinë e nacionalizmit, mund të kuptohet edhe ajo çfarë po ndodh sot brenda Bashkimit Evropian. Gjatë Luftës së Ftohtë, integrimi evropian u zhvillua, sepse realizohej në kuadër të një flluske që mbrohej nga Shtetet e Bashkuara.

Sot ndërkaq, Shtetet e Bashkuara kanë humbur interesimin në sigurinë evropiane; evropianët tani përballen me disa kërcënime nga jashtë, ndërkohë që vetë projekti BE është zgjeruar jashtë mase dhe nuk është duke u menaxhuar mirë nga unioni monetar.

Ajo çfarë shohim sot është rinacionalizimi gradual i politikës së jashtme evropiane, që nxitet pjesërisht nga preferencat jo në harmoni ekonomike dhe pjesërisht nga frika se identitetet kombëtare janë në rrezik.

Kur danezët shqetësohen për Islamin, kur katallanët kërkojnë autonomi, gjermanët refuzojnë të ndihmojnë grekët dhe kur askush nuk dëshiron ta lejojë Turqinë në Bashkimin Evropian, atëherë në funksion është nacionalizmi. Kombet – meqë funksionojnë në një botë garuese dhe ndonjëherë edhe të rrezikshme – synojnë të ruajnë identitetin e tyre dhe vlerat kulturore që kanë. Në shumë raste, mënyra më e mirë për ta bërë këtë është që ato të krijojnë shtetet e tyre, sepse grupet etnike dhe kombëtare, që nuk kanë një shtet, janë më të prirura për absorbim dhe asimilim.

Natyrisht, kombet dhe shtetet nuk e arrijnë gjithmonë atë pikë-synimin e shtetit komb. Disa kombe kurrë nuk arrijnë të fitojnë pavarësinë dhe disa shtete kurrë nuk arrijnë të krijojnë atë identitetin e unifikuar kombëtar.

Nëse nuk e njohim në tërësi fuqinë e nacionalizmit, atëherë jeta moderne politike do të përjetojë zhvillime jo edhe aq të mira. Është forca më e fuqishme politike në botë dhe nëse injorohet, atëherë e rrezikon vetë botën.

KOMENTE