Tiranë, 17 korrik, NOA – Tirana zyrtare ka vendosur të pozicionohet diplomatikisht në lidhje me zhvillimet dhe përplasjen e armatosur në Libi. Ministria e Jashtme ka njoftuar ditën e sotme se “Qeveria e Republikës së Shqipërisë njeh Këshillin Kombëtar të Tranzicionit në Libi, si përfaqësues legjitim të popullit libian”. Këshilli është përfaqësia e rebelëve që kundërshton regjimin e kolonel Gedafit.
Vendimi vjen në sinkron më lëvizjet ndërkombëtare dhe pozicionimin e gjithë vendeve kryesore që janë kundër regjimit të Gedafit. “Qeveria e Republikës së Shqipërisë ka ndjekur me vëmendje krizën në Libi dhe ka mbështetur përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar për zgjidhjen e saj, në zbatim të Rezolutave 1970, 1973 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, njofton Ministria e Jashtme.
Në njoftimin e Ministrisë së Jashtme theksohet se pala shqiptare është e gatshme të vendosë marrëdhënie me Këshillin libian. “Qeveria shqiptare është e gatshme të vendosë marrëdhënie me këtë Këshill dhe të japë ndihmën e saj për rivendosjen e paqes dhe ndërtimin e demokracisë në Libi. Shprehim bindjen se, duke ndërmarrë një hap të tillë, mbështesim kauzën e drejtë të popullit libian, për liri e progres”, thuhet në njoftim.
Në deklaratën e Ministrisë shqiptare theksohet dhe fakton se ky Këshill është përfaqësues i denjë i popullit libian.
“Qeveria shqiptare, duke vlerësuar lart aspiratat e popullit libian për demokraci e zhvillim, ka ndjekur me simpati dhe ka mbështetur veprimtarinë e Këshillit Kombëtar të Tranzicionit, programin e tij për një Libi demokratike dhe e konsideron këtë Këshill si një përfaqësues legjitim të popullit libian”, thekson Ministria e Jashtme.
a.k/NOA