Tiranë, 18 Korrik 2011 NOA - Për herë të parë në Shqipëri nisën sot tek Spitali Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Koço Gliozheni” në Tiranë, kurset e trajnimit perinatal, dedikuar kujdesit ndaj shëndetit të nënës dhe fëmijës.
Ceremonia e nisjes së këtyre kurseve u zhvillua sot në ambientet e maternitetit “Koço Gliozheni” në Tiranë në praninë e nënave të reja, grave shtatzënë, mjekëve e familjarëve.
Në ditën e parë të këtyre kurseve nënat u njohën me fiziologjinë e ushqyerjes me gji, përfitimet e ushqyerjes me gji, sistemin e ruajtjes së ushqimit, ushqyerjen e foshnjave, metodat bashkëkohore të sterilizimit, faktet dhe tendencat e shëndetit dhe stilit të jetës për nënat e reja dhe gratë shtatzënë si edhe me shkaqet e depresionit postpartum dhe mënyrat e tij të parandalimit.
Projekti i trajnimeve perinatal (periudha para, gjatë dhe pas lindjes së fëmijës), i ndërmarrë dhe sponsorizuar nga Philips Avent në bashkëpunim me SUOGJ “Koço Gliozheni”, ka për qëllim edukimin e grave shtatzënë dhe nënave të reja për kujdesin ndaj vetes dhe fëmijës së tyre.
Këto kurse synojnë t’u ofrojnë pjesëmarrësve njohuri dhe fakte të rëndësishme për trajtimin para, gjatë dhe pas lindjes, duke stimuluar rritjen e shkallës së informimit dhe kulturës së përgjithshme mjekësore te gratë shtatzënë dhe te nënat e reja, si edhe promovimin e kujdesit perinatal në Shqipëri.
Trajnimi do të vazhdojë të zhvillohet në mënyrë periodike në muajt në vijim, i udhëhequr nga një staf i përgatitur profesional dhe i organizuar me metodat më të reja interaktive dhe në një atmosferë të ngrohtë e miqësore në shoqërinë edhe të psikologut klinik.
Pas çdo trajnimi, të gjitha gratë pjesëmarrëse do të pajisen me materiale informative dhe edukuese si edhe me dhurata për bebet e tyre.
Këto kurse edukuese dhe sociale që çelën një moment të ri historik të kujdesit perinatal në Shqipëri, synojnë të shndërrohen në një traditë të vazhdueshme e të qëndrueshme edukimi, duke ju ardhur në ndihmë një numri sa më të madh të grave shtatzënë dhe nënave të reja në vendin tonë.
e.t/NOA