English

Akuzat për blerjen e gjyqtarëve të Kolegjit, Presidenti mbledh KLD

Tiranë, 19 korrik 2011, NOA – Pas shqetësimit të gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor ndaj akuzave publike të opozitës për blerjen e tyre dhe favorizimin e kandidatit të mazhorancës për bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha në vendimet e marra për zgjedhjet për bashkinë Tiranë, Presidenti i Republikës, njëherësh Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë Bamir Topi do të mbledhë paraditen e sotme KLD-në.

Shqetësimi i anëtarëve të Gjykatës së Apelit erdhi pas deklaratave të kryetarit të grupit kuvendor të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, i cili i akuzoi anëtarët e Kolegjit Zgjedhor se kanë marrë nga 500 mijë euro për secilin vendim të dhënë mbi betejën elektorale për bashkinë e Tiranës.

Gjyqtarët e Kolegjit i dërguan pak ditë më parë një letër konfidenciale Kreut të Shtetit, ambasadës së SHBA-ve dhe ambasadorit të BE-së në Tiranë, ku i kërkonin të ndërhyjnë pas akuzave të lëshuara nga zoti Ruçi, i cili i akuzonte drejtpërdrejtë gjyqtarët e Kolegjit se kishin marrë nga 500 mijë euro për çdo vendim të dhënë për garën elektorale në Tiranë, dhe pikërisht për vendimin e datës 13 qershor dhe atë të datës 8 korrik, që vulosi fitoren e kandidatit demokrat, Lulzim Basha, si kryetari i ri i bashkisë së Tiranës.

Sipas Ruçit për të gjitha vendimet e marra nga Kolegji Zgjedhor dhe favorizimin e kandidatit të “Aleancës për Qytetarin” Lulzim Basha, shuma e dhënë nga PD për gjyqtarët i kalon dy milion e gjysmë eurot.

Trupa e gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor në letrën dërguar Presidentit Topi shpreh shqetësimin ndaj këtyre akuzave të rënda duke theksuar se në shqyrtimin e ankesave për betejën ligjore për kryebashkiakun e Tiranës dhe në çdo vendim të marrë ata kanë respektuar vetëm Kushtetutën dhe ligjet e vendit.

Anëtarët e Kolegjit Zgjedhor i cilësuan akuzat e Sekretarit të Përgjithshëm të PS-së Gramoz Ruçi si mashtrime dhe të pabazuara në fakte.

mit/NOA

KOMENTE