English

Apeli i diasporës: OKB të respektojë vlerat e UÇK-së

E martë, 19 korrik 2011, NOA- Në Nju Jork u mbajt protesta para selisë së OKB-së me moton “Për Ramushin dhe mbrojtjen e vlerave të UÇK-së” organizuar nga diaspora shqiptareSHBA.

Pjesëtarë të mërgatës shqiptare nga shtetet e Nju Jorkut, Nju Xhersit, Illionis dhe vende tjera për dy orë protestuan përballë selisë së OKB-së në shenjë revolte për mbajtjen në Hagë të ish-komandantit dhe liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj dhe proceseve tjera ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

Publicisti dhe albanologu, Besim Muhadri deklaroi se Kosova sot është e ngulfatur nga procese të montuara politike, që mbahen dhe pritet të mbahen në gjykatat e saj.

“Proceset politike që janë duke u zhvilluar dhe që pritet të zhvillohen ndaj ish ushtarëve të UÇK-së, janë një imazh i keq jo vetëm për këtë ushtri, por për tërë popullin shqiptar dhe luftën e drejtë dhe vetëmohuese të bërë për liri dhe pavarësi - Imazh i keq për pavarësinë dhe prespektivën europiane të Kosovës. Kosova kërkon drejtësi, jo kamuflime dhe luftë për të prishur imazhin”, theksoi Muhadri, duke bërë thirrje për mbështetjen e SHBA-ve për ndërprerjen e këtyre rasteve.

Sipas tij, gjykimi ndaj Haradinaj është një padrejtësi e rëndë dhe se ai i duhet Kosovës në zhvillimin e proceseve të zhvillimit të saj.

Veprimtari i çështjes shqiptare, amerikani Frank Venuccio deklaroi se amerikanët kurrë nuk do të harrojnë të gjithë ata që luftuan me UÇK për të mbrojtur ata njerëz të pafajshëm të kërcënuar nga gjenocidi serb në Kosovë.

“Ne jemi këtu t'u themi Kombeve të Bashkuara, se ne do të mbrojmë të drejtat e të gjithëve atyre që luftuan për lirinë e Kosovës”, theksoi Venuccio.

Avokati i njohur amerikan, Stiv Kaufman dërgoi gjithashtu një letër përkrahje dhe apeloi për ndërprerjen e këtyre rasteve dhe lirimin e të gjithë ish-udhëheqësve të UÇK-së nga skenaret dhe veprat e montuara.

Gazmend Lleshi nga Çikago në fjalimin e tij theksoi se fatkeqësisht kjo luftë dhe sakrifica sublime e ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në vend që të shpërblehej, ajo nga njerëz si Dick Marty, e të tjerë u mundua të njolloset.

Në protestë folën edhe ish luftëtari Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gani Shehu, ish udhëheqësi i "Fondacionit Vendlindja Thërret" në SHBA, Shefki Mexhuvani, poeti Naim Balidemaj, gazetari Qazim Doda , veprimtari dhe aktivisti i dalluar i çështjes Çame, Sali Bollati, Dr. Skender Kodra - Kryetari i Akademis së Shkencave Shqiptaro-Amerikane, me qendër në New York, Profesor Muharrem Dika, etj.

Dr Kodra, shprehu pakënaqësinë e thellë ndaj vendimit të Hagës, dhe e quajti atë tërësisht të padrejtë për t`i mbajtur në paraburgim dhe për të rigjykuar përsëri luftëtarët e lirisë, dhe ish komandantin e UÇK-ës, Ramush Haradinaj. Protestuesit përsëritën mesazhin se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe për liri.

(INA)/NOA

KOMENTE