Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit ka nisur hetimet e akuzave për korrupsion, të bëra nga tre zyrtarë ushtarakë përmes një videoje në YouTube.
Në video, kapiteni Ramin Qasimov, lejtënanti Asgar Asgarov dhe oficeri Sahlar Rzaiev tregojnë se janë detyruar të përdorin paratë e tyre për të blerë material ndërtimi, për riparime në kazermat e dëmtuara nga erërat e forta.
Ministri i Mbrojtjes, Eldar Sabrioglu, tha se akuzat po hetohen, ndërsa deklarata do të lëshohet pasi të kenë përfunduar hetimet.
Analisti i çështjeve ushtarake, Cesur Sumerinli, dyshon se ankesat do të merren seriozisht. Ai paralajmëron se zyrtarët në video mund të përballen me një presion të rëndë.
Ministria e Mbrojtjes ka vënë në qendër të vëmendjes vetëm njërin nga informatorët: Qasimovin. Sipas të njëjtit burim, hetimet kanë treguar se Qasimov ka abuzuar fizikisht dy ushtarët e komandës së tij dhe i ka detyruar të paraqiten në video.
“Lejtnant Asgar Asgarov dhe oficeri Shahlar Rzajev i janë bindur komandantit të tyre. Ata nuk e dinin se çfarë po ndodhte”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Vakif Mamadov i cituar sot nga radio Evropa e Lirë.
Mediat lokale në Azerbajxhan raportojnë se familjet e tre oficerëve janë nën presion të madh, por pohimet e tilla hidhen poshtë nga autoritetet.
Incidenti në fjalë thuhet se vë edhe një herë në qendër të vëmendjes korrupsionin dhe shpërdorimet e detyrës në Ministrinë e Mbrojtjes.
Analisti Sumerinli thotë se ka pak ose aspak kontroll mbi atë se si shpenzohen paratë.
“Shërbimet ushtarake rriten nga viti në vit, por ato nuk janë të drejtuara për shoqërinë. Sipas standardeve ndërkombëtare, veshjet e ushtarakëve, ushqimi dhe pagat nuk duhet të jenë më pak se 30 për qind e shpenzimeve ushtarake. Por, në ushtrinë e Azerbajxhanit kjo nuk llogaritet as në 10 për qind”, thotë Sumerinli, sipas të cilit, një oficer i linjës së frontit merr vetëm 572 dollarë në muaj.
Në fillim të vitit, presidenti Ilham Aliev ka bërë publike një nismë të profilit të lartë kundër marrjes së ryshfetit. Si rezultat, pothuajse të gjitha agjencitë e shtetit kanë zhvilluar takime dhe iniciativa anti-korrupsion, përveç Ministrisë së Mbrojtjes.
Sumerinli thotë se nuk ka kontroll të qeverisë e as balancë të shpenzimeve ushtarake. Sipas tij, akuzat e tre zyrtarëve ushtarakë janë pjesë e një problemi të madh.
“Për shembull, ushtria është shumë keq e furnizuar me automobila. Por, nëse analizojmë buxhetin ushtarak, ne shohim se ka burime të mjaftueshme për gjëra të tilla”, thotë Sumerinli.
Sipas tij, zyrtarët që kanë bërë akuza për korrupsion në të kaluarën, janë përballur me pasoja të rënda, nga shkarkimi nga puna deri te burgimi për shkak të, siç thuhet, nxjerrjes së sekreteve shtetërore.
Në vitin 2010, organizata kundër korrupsionit, Transparency International, ka renditur Azerbajxhanin në vendin e 134-të, në mesin e 178 shteteve të vlerësuara.