English

Harresa e madhe ndaj nesh

Nga Gjoç Gjoçi, Tanush Kaso, Abdurrahman Çekiçi

Letër e hapur

Ne, përfaqësuesit e ligjshëm të tri shoqatave të ish të dënuarve politikë, shprehim publikisht keqardhjen, për lënien krejtësisht në harresë të shtresës sonë shoqërore, nga ana e shtetit shqiptar, me bllokimin e procesit të integrimit e të dëmshpërblimit si dhe moszbatimin e ligjeve përkatëse, siç janë: Ligji 7514, dt.30.09.1991 “Për pafajësinë dhe rehabilitimin…” Ligji 7748, dt.29.07.1993 “Për Statusin e ish të dënuarve dhe të përndjekurve…” Ligji 9274, dt.16.09.2004 “Për përdorimin e “letrave me vlerë” në privatizimet...” Ligji 7701, dt.11.05.1993 “Për pensionin e veçantë, për të përndjekurit”. Gjithashtu, nuk janë zbatuar as ligje dhe amendamente të tjera, që kanë të bëjnë me integrimin real të kësaj shtrese të keqtrajtuar e të diskriminuar nga regjimi komunist. Me dëshpërim ne konstatojmë se edhe Ligji 9831, dt.12.11.2007 “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë nga regjimi komunist, ka dështuar; për arësye se: -Ende sot, katër vjet mbas hyrjes në fuqi të tij, nuk ka përfunduar dhënia e këstit të parë të parave, ndërkohë që -normalisht- duhej të kishte nisur i treti. -Është vënë qëllimisht si kusht frenues, përfundimi i këstit të parë për të filluar i dyti, në mënyrë që të shtyhet “në kalendat greke”, me dhjetra vjet, shlyerja e këtij detyrimi moral e ligjor që ka shteti ndaj njerëzve, të cilët sakrifikuan gjithçka për demokracinë. Ndërsa vetë ligji i ndan këstet në 8(tetë) vjet (e jo në 18); është shkelur kësisoj Neni 32, i Ligjit, i cili thotë shprehimisht se “Këshilli i Ministrave, brenda 15 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, saktëson faturën financiare të dëmshpërblimit dhe i propozon Kuvendit skemën 8-vjeçare të shpërndarjes së fondeve”. Çdo interpretim tjetër “marksist-leninist” apo “klasor”, që mund të bëjnë të ngarkuarit për zbatimin e këtij ligji, është absurd dhe i papranueshëm. -Edhe sot, në vitin e katërt, Këshilli i Ministrave nuk ka mundur të “saktësojë faturën financiare”, sepse ligji është ndërtuar keq, duke vendosur qëllimisht “barriera burokratike” dokumentesh, që nuk gjenden, ose që vetë shteti duhet t’i disponojë. -Shpërndarja normalisht (për çdo vit) e këstit të dytë e të tretë, nuk e pengonte aspak vazhdimin e shpërndarjes së këstit të parë, gjersa -siç thuhet- ekziston fondi i caktuar çdo vit nga dy miljardë lekë ( po të besojmë se ky nuk është përdorur për të tjera gjëra). -Nuk ka asnjë bazë të vërtetë ligjore, heqja e të drejtës së dëmshpërblimit të dënuarve politikë, të cilëve hetuesia komuniste u ka vënë nenin e “terrorizmit”; mbasi dihet se ajo, kundërshtarët e regjimit i etiketonte si të donte: terroristë, armiq të popullit, agjentë e poliagjentë. Veç kësaj, edhe po të ishin realisht të tillë, ata mbas kryerjes së dënimit quhen të rehabilituar; po mbi të gjitha kanë marrë edhe pafajësinë, me Ligjin 7514, dt.30.09.1991, të votuar unanimisht. Ata mund të dënoheshin për “terrorizëm”, në rast se do të kishin kryer akte terrori gjatë këtyre 20-vjetëve, mbas marrjes së pafajësisë. -Mosnjohja e “Komisionit trepalësh”, të krijuar më parë nga vetë qeveria demokratike, për rastet kur mungojnë dokumentet, është një pengesë tjetër e qëllimshme, për moszbatimin e Ligjit ose për reduktimin padrejtësisht të faturës financiare, duke ua mohuar të drejtën e dëmshpërblimit të dënuarve pa faj. -E qëllimshme është edhe mosvënia në përdorim e “letrave me vlerë” të ish të përndjekurve, në privatizimin e objekteve shtetërore, ku është edhe mundi, djersa dhe gjaku i këtyre njerëzve. Po ndiqet e njëjta “strategji”, si ajo e qeverisë “Meksi”, e cila e ndërpreu papritmas procesin e dëmshpërblimit dhe të privatizimit, duke i “ngrirë” letrat me vlerë tek firma “Anglo-Adriatica”, te Fabrika e tullave në Vorë, etj., ku dergjen edhe sot e kësaj dite, duke shpresuar që një ditë qeveria t’i zhbllokojë e t’i vëri në përdorim, për t’i dhënë si ish të përndjekurve, ashtu edhe njerëzve të tjerë, hakun e punës së tyre shumëvjeçare. Por, kjo me sa duket nuk ka për të ndodhur kurrë, sa kohë që shteti do t’u krijojë përparësi ish-komunistëve dhe mafiozëve, për t’i shtuar edhe më shumë pasuritë e tyre. Duke u marrë me probleme “madhore”, shteti post-komunist po e lë qëllimisht pasdore integrimin dhe rimëkëmbjen ekonomike e sociale të kundërshtarëve të komunizmit, për të zbatuar pikë për pikë direktivat e Katovicës, të Gorbaçovit e të Ramiz Alisë. Është lënë në harresë sllogani i dikurshëm “Njeriu është kapitali më i çmuar”. Në këto kushte, kemi qenë të detyruar t’i drejtohemi Gjykatës Evropiane të Strasburgut, nga e cila presim vendosjen e drejtësisë së munguar për shtresën tonë. Natyrisht, kjo nuk është në nderin e shtetit tonë “demokratik” dhe as në dobi të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Sepse dënimi i krimeve të komunizmit dhe rehabilitimi i të përndjekurve politikë si edhe kthimi i pronës tek pronarët e vërtetë, janë kushte themelore, që i përkasin lirive dhe të drejtave të njeriut. Ne i bëjmë thirrje qeverisë që -pa humbur kohë- të shtrohet seriozisht në bisedime me ish të dënuarit e vërtetë politikë, për t’u gjetur një zgjidhje të shpejtë e të drejtë problemeve jetike të shtresës sonë, përpara se Gjykata e Strasburgut ta thotë fjalën e vet.

Për Shoqatën Kombëtare të Trashëgimtarëve të të Pushkatuarve Politikë Kryetari

Gjoç Gjoçi

Për Shoqatën Kombëtare të ish të Burgosurve Politikë Kryetari

Tanush Kaso

Për Shoqatën Kombëtare të Internim-Dëbimeve Politike Kryetari

Abdurrahman Çekiçi

Tiranë, 20 korrik 2011

KOMENTE