English

Haxhinasto: Opozita të angazhohet për të çuar përpara prioritetet e axhendës europiane

E martë, 19 korrik 2011, NOA- Në një intervistë të dhënë pas takimit të Stabilizim Asocimit, Bashkimi Europian- Shqipëri në Bruksel, Ministri i Jashtëm shqiptar Edmond Haxhinasto shprehet se është e domosdoshme që të gjitha forcat politike në Shqipëri të angazhohen me qëllim që Kodi i ri Zgjedhor të jetë i standardeve të njohura dhe pranuara ndërkombëtarisht si dhe që të çohen përpara prioritetet e axhendës evropiane.

Z. Ministër e dëgjuam qartë nga komisioneri Fyle të thoshte që procesi zgjedhor është një kapitull i mbyllur. A jeni në sintoni të plotë me BE në këtë drejtim?

Jemi në sintoni të plotë, edhe BE e quan procesin zgjedhor krejtësisht të mbyllur, por me një lidhje me të ardhmen, që ato diskutime që pati procesi aktual të adresohen në të ardhmen me një angazhim të përbashkët të të gjitha forcave politike, në një proces zgjedhor gjithëpërfshirës, i cili jo vetëm të adresojë këto probleme që unë përmenda, por dhe ato që janë vënë re në rekomandimet e mëparshme të OSBE- ODHIR.

Është e domosdoshme për këtë që të gjitha forcat politike në Shqipëri të angazhohen, të kontribuojnë, më qellim që amendimet përkatëse, ligji përkatës, kodi i ri zgjedhor të jetë i standardeve më të larta të njohura ndërkombëtarisht dhe të jetë me certifikimin e plotë të OSBE-ODHIR dhe Komisionit të Venecias.

Pati një apel të qartë dhe për pjesëmarrjen e opozitës në parlament, në institucionet demokratike. A është e qartë mjaftueshëm kjo për pjesën tjetër. A mendoni se në shtator do mbarojë kjo bllokadë?

Mendoj se BE ka qenë vazhdimisht e qartë në sjelljet që i ka dërguar opozitës për t’u angazhuar brenda institucioneve, për t’u angazhuar në proceset politike institucionale, jo vetëm për të adresuar çështjet e zgjedhjeve, por mbi të gjitha për të adresuar 12 prioritetet që janë themelore dhe përcaktuese në avancimin e axhendës europiane të Shqipërisë. Pra përgjegjësia e opozitës është pa diskutim shumë e madhe. Kjo është thënë nga BE në të kaluarën. Është thënë dhe sot me qartësinë më të madhe, që çdo veprim i ardhshëm, çdo reformë e ardhshme, dosmosdoshmërisht kërkon dhe angazhimin e saj institucional.

Mendoj se progresi i gjithanshëm i Shqipërisë në të gjitha fushat, në fushën e ekonomisë, në fushën e respektimit dhe përafrimit të 'aqui', në fushat e tjera të marrëdhënies që ka me Bashkimin Europian, në fushën e lëvizjes së lirë që është një shembull nga më shkëlqyerit, ka qenë i tillë që premton për një opinion shumë më pozitiv se një vit më parë, sigurisht në qoftë se- ka një në qoftë se të madhe - dhe ky është angazhimi i opozitës për t’u bërë pjesë e këtij procesi, për t’u bërë pjesë e një angazhimi kombëtar për axhendën e integrimit të vendit.

Pa një angazhim të gjithë forcave politike, në realizimin e reformave që kërkon BE sigurisht nuk mund të ketë një avancim të kësaj axhende, nuk mund të ketë një sukses për Shqipërinë, jo për mazhorancën as për qeverinë. Pasi integrimi europian është integrim i Shqipërisë dhe gjithë shqiptarëve.

Ndërkohë kishte një formulim të ri për sa i përket ekonomisë, thuhet për herë të parë, që Shqipërianjë afat të mesëm, mund të mbajë përsipër, të kryejë detyrimet e një shteti anëtar, që është një vlerësim jo i vogël, apo jo?

Mendoj se është një vlerësim shumë i drejtë, shumë realist, por mbi të gjitha optimist. Vërtet treguesit tonë makroekonomikë, politikat ekonomike, monetare e fiskale që janë përzgjedhur, miksi i tyre, ka bërë që Shqipëria të ketë një qëndrueshmëri ekonomike, sidomos duke patur parasysh dhe faktorët e tjerë negativ rreth saj, krizën e tregjeve financiare, krizën e vendeve fqinj të Shqipërisë, pra duke patur parasysh këtë kompleksitet, vlerësimi i BE që Shqipëria mund të mbajë ato përgjegjësi që i takojnë në planin afatmesëm është një përcaktim shumë i saktë, por gjithashtu dhe një pikë e rëndësishme reference për gjithë ata investitorë apo ata analistë që ndjekin me vemendje zhvillimet ekonomike që kalon Shqipëria.

(Intervista e Zv.Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme z. Edmond Haxhinasto dhënë pas takimit të Stabilizim Associmit BE-Shqipëri në Bruksel)

NOA

KOMENTE