English

Kërkesë Publike ambasadorit të BE

Rrapo Hajredin Danushi

I nderuar zoti Ambasador. Çdo ditë që kalon anarkia e pronës thellohet sepse deri sot politikanët po përpiqen me të gjitha mënyrat ta pengojnë dhe ta ngatërojnë sa më shumë problemin e kthimit fizik të pronës tek i zoti. Vetëm në prag të fushatave për qëllime elektorale ata bëjnë sikur interesohen për pronarët apo edhe të përndjekurit. Politikanët tanë, mbrojnë me çdo kusht nenin 8 të ligjit 7501 dhe shkelin nenin 181 të Kushtetutës në çdo ligj dhe vendim që miratojnë. Në këtë mënyrë ata mbrojnë pronat që kanë përvetësuar nga qënia në politikë dhe në pushtet dhe e konsiderojnë të ligjshme vazhdimin e dhunës shtetërore dhe korrupsionin me pronat.

Problemi i titujve qartë të pronësisë sipas parimit “e blerë , e dhuruar dhe e trashëguar” sipas nenit 41 i Kushtetutës, i intereson një mase të madhe qytetarësh. Ky problem ka vlerë kombëtare dhe është themeli i rendit demokratik. Meqënëse respektimi i të drejtës së pronësisë është dallimi midis sistemit demokratik ku duam të shkojmë dhe atij kleptoktatik ku jetojmë sot, na detyron t’ju kërkojmë që nga 12 kërkesat e përcaktuara në Raportin e BE, të vitit 2010 të komisionerit Fyle, të dalloni problemin e pronës si më prioritarin para 11 kërkesave të tjera. Mjafton të themi se kanë kaluar 19 vjet dhe akoma nuk ka përfunduar procesi i kthimit fizik, ndërkohë të gjithë politikanët flasin vetëm për kompensime dhe legalizime (!!).Analiza e baroneshës Katerin Heshton ku theksohej mjaft mirë problemi i pazgjidhur i pronës, në mediat tona u minimizua. Ajo u transmetua vetëm një herë nga Top Chanel. Analistet e politikës në shumicën e rasteve e kanë të ndaluar ose janë mjaf të rrezervuar të diskutojnë domosdoshmërinë e respektimit të të drejtës së pronës private në përputhje me Kushtetutën. Po ashtu Shoqata jonë mbahet larg çdo diskutimi dhe ballafaqimi me politikanët sepse ne kërkojmë që të zbatohet Kushtetuta dhe qytetarit ti kthehet prona e tij e grabitur nga politika, kërkojmë që procesi i kthimit dhe i kompensimit të jetë detyrim për Pushtetin, por propozimet tona bien gjithmonë në vesh të shurdhër.

Duke lënë në një anë ambasadorin e OSBE zotin Osmo Lipponen, për qëndrimin e tij antipronar në vitin 2003 gjatë hartimit të ligjit për pronat nr 9235, që u miratua në vitin 2004, ambasadorët e tjerë të akredituar në Shqipëri, deri sot kanë vepruar në mënyrë jo efektive ndaj ankesave tona të përsëritura. Nëse ky qëndrimi i derisotshëm i ambasadorëve do vazhdojë, ne paralajmërojmë se ambasadorët janë faktori që mbron korrupsionin me pronat, faktori që favorizon shkeljen e Kushtetutës, shkeljen e parimeve të Copenhagenit, shkeljen të drejtës për të gëzuar pronën e trashëguar dhe të Konventës, vetëm për të justifikuar dhe mbrojtur kleptokracinë postkomuniste. Shqipëria është i vetmi vend antar i NATOs, që vepron me ligje dhe vazhdon të miratojë ligje që nuk respektojnë të drejtën e pronës së trshëguar. Sot ju zoti Ambasador, keni një pozicion kyç, për të ardhmen e demokracisë në Shqipëri. Vetëm nëse ju si përfaqësues i BE, do të theksoni se politika shqiptare duhet të fokusohet dhe të zgjidhi brenda një afati të shkurtër kohe kthimin e pronës së grabitur tek i zoti, pranimi i Shqipërisë në BE mund të përafrohet. Nëse ju do ta konsideroni problemin e pronës problem të brendëshëm të politikës Shqiptare, praktikisht ju e pengoni demokracinë për popullin dhe dëmtoni të ardhmen e Shqiprërisë.

Mbetemi në pritje për një sqarim të qartë publik të pikpamjes tuaj duke reflektuar dhe mbi ankesat e mëparshme që ju kemi drejtuar.

Në emër të pronarëve të ligjshëm të shpronësuar nga komunizmi, besojmë në mirëkuptimin tuaj dhe personalisht ju shprehim respekt dhe konsideratë.

Rrapo Hajredin Danushi

Kryetar i Shoqatës Kombëtare të të Shpronësuarve

“Pronësi me Drejtësi”

KOMENTE