English

Krasniqi: Kërkesat e luftëtarëve të UÇK-së të ligjshme

Prishtinë, 19 korrik 2011, NOA- Kryeparlamentari i Kosovës Jakup Krasniqi priti në një takim Kryesinë e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të luftëtarëve të UÇK-së.

Kjo kryesi nën drejtimin e Xhevdet Qeriqit mori mbështetjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës për kërkesat e tyre duke i cilësuar ato si të drejta.

Në takim u bisedua për gjendjen e rëndë ekonomike dhe sociale të kësaj kategorie të shoqërisë së Kosovës, si dhe për miratimin në afat sa më të shkurtër të Projektligjit për Vlerat e Luftës së UÇK-së.

Më tej ata i thanë Krasniqit se kanë marrë premtimin nga Qeveria e Kosovës se Projektligji do të arrijë në Kuvend gjatë kësaj jave.

Nga ana e tij kryeparlamentari u shpreh se i vjen keq për qëndrimin kaq të gjatë nën tenda, për të drejtat e tyre më se të ligjshme. Ai i ka ftuar Kryesinë e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së që ta ndërpresin grevën, duke iu premtuar se do të angazhohet për miratimin në kohë sa më të shkurtër të Projektligjit për Vlerat e Luftës së UÇK-së.

a.y/NOA

KOMENTE