Tiranë, 19 korrik 2011, NOA – Rreth 200 minatorë të Bulqizës, të cilët protestuan dje në Tiranë para kryeministrisë kanë kaluar natën e të hënës në qiell të hapur në bulevard.
Minatorët tentuan natën e shkuar të ngrinin një tendë për të kaluar natën pranë godinës së qeverisë, por kjo nuk është lejuar nga uniformat blu të Policisë së Tiranës.
Ata i kanë bërë thirrje qeverisë të rishikojë statusin e minatorit dhe të marrë në shqyrtim kërkesat e tyre të drejta.
Kjo protestë para kryeministrisë vjen pas dy javë protestash të afro 700 minatorëve të Bulqizës pranë kompanisë austriake ACR që ka marrë me koncesion minierën e kromit në Bulqizë, protesta që nuk sollën asnjë marrëveshje të nënshkruar mes palëve.
Minatorët e Bulqizës i kërkojnë kompanisë austriake ACR të rrisë pagat e tyre me 20 përqind, t’u sigurojë përmirësimin e kushteve të punës dhe sigurinë e jetës së tyre në minierën e kromit, uljen e moshës së pensionit, si dhe moslejimin e firmave të tjera të shfrytëzojnë minierat pa koncesion.
Këto kushte janë të domosdoshme për minatorët, duke risjellë në vëmendje se shumë minatorë kanë humbur jetën duke punuar në minierë.
Të hënën, një përfaqësi e minatorëve u pritën nga një këshilltare në kryeministri, një takim që përfundoi pa asnjë rezultat.
Ata kanë deklaruar se nuk do të ndalen së kërkuari plotësimin e kërkesave të tyre.
Minatorët gjatë protestës së djeshme paralajmëruan se ata nuk do të ndalen duke kërcënuar se do t’i përshkallëzojnë protestat e tyre deri në bllokimin e rrugës kombëtare që lidh Tiranën me pjesën e sipërme të vendit.
Një grup prej 20 minatorësh kanë kërcënuar se do të hyjnë në grevë urie në rast të mosplotësimit të kërkesave të tyre.
mit/NOA