Tiranë, 19 korrik 2011, NOA- Një sistem i fuqishëm vranësirash do të vendoset në territorin shqiptar duke kushtëzuar mot të paqëndrueshëm. Vranësirat dhe shirat e dobët do të jenë dominues në pjesën më të madhe të vendit. Në zonat bregdetare do të ketë një forcim të erës.
Sipas MeteoAlb, edhe pasditja do të vijojë me vranësira dhe shira në veri dhe qendër por alternime kthjellimesh dhe vranësirash do të ketë jugu i vendit, më të dendura shirat do të jenë në veriperëndim të territorit. Në mbrëmje dhe gjatë natës parashikohet që vranësirat dhe shirat të largohen gradualisht nga i gjithë vendi.
Temperaturat e ajrit do të rriten me 3 gradë në mëngjes ndërsa mesdita do të sjellë rënie të temperaturave për shkak të vranësirave dhe shirave në vend.
Era do të fryjë e lehtë në tokë dhe mesatare në det me shpejtësi 28 km/h dhe drejtim jugperëndimor ndërsa dallgëzimi në det do të jetë 3 ballë.
Europa
Nesër, Europa veriperëndimore dhe Europa qendrore do të mbeten në kushtet e motit të paqëndrueshëm me vranësira dhe shira ku më problematike situata do të paraqitet në vendet e Balltikut dhe në Gjermani pasi reshjet do të bien në formë rrebeshi duke u shoqëruar me stuhi të forta ere. Gjithashtu me vranësira dhe shira të rrëmbyeshëm do të jenë vendet Nordike ku në këto rajone do të ketë rënie të ndjeshme të temperaturave. Edhe rajoni i Mesdheut është përfshirë nga vranësirat dhe shirat ku shira në formë rrebeshi do të ketë në Ballkanin Verior. Ndërsa moti i kthjellët dhe temperaturat e larta do të mbizotërojnë në Europën Jugperëndimore dhe Europën Lindore.
Ngjarje ekstreme në Europë:
- Ballkani Verior rrezikohet nga shira intensiv dhe stuhi ere
- Gjermania rrezikon shira intesive dhe shkarkesa rrufesh
- Suedia rrezikon shira të dendur dhe rrufe
a.y/NOA