English

Policia e Shtetit dërgon grup ekspertësh në Afganistan

Tiranë, 19 korrik 2011, NOA- Policia e Shtetitnjë takim të organizuar ditën e sotme deklaroi se për herë të parë, në kuadër të kontributit të vendit tonë në NATO, do të dërgojë në Afganistan një grup ekspertësh të Policisë së Shtetit.

Nëpërmjet këtij grupi ekspertësh policia shqiptare do të jetë jo vetëm implementuese e standardeve dhe praktikave më të mira bashkëkohore, euroatlantike, por edhe përçuese e këtyre praktikave në organizatat policore të vendeve të ndryshme ku NATO shërben në kuadër të misionit të saj.

Gjatë kësaj ceremonie ishin të pranishëm Kryeministri Sali Berisha, Ministri i Brendshëm Bujar Nishani, Zv/Ambasadorja e SHBA-së Deborah Jones, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj si dhe përfaqësues të misioneve dhe organizatave që asistojnë dhe bashkëpunojnë me Policinë Shqiptare, drejtues të tjerë të lartë të Policisë së Shtetit, si dhe familjarë të ekspertëve të policisë që do të dërgohen në Afganistan.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Hysni Bugaj tha se ky eveniment është një ngjarje shumë e rëndësishme për organizatën e policisë, pasi për herë të parë Policia e Shtetit merr pjesë në një mision trajnues jashtë vendit, duke u bërë kështu përçuese e standardeve dhe praktikave më të mira bashkëkohore në organizata policore të vendeve të tjera.

Më tej ai tha se, “Misioni dhe detyra e punonjësve tanë të policisë në Misionin Trajnues të NATO-s në Afganistan do të jetë këshillimi dhe trajnimi i punonjësve të policisë Afgane në drejtim të zhvillimit të koncepteve të drejtimit dhe menaxhimit të personelit, si dhe të komunikimit, në mënyrë që të zhvillohet një forcë policore kombëtare sa më profesionale. Ne jemi të bindur se punonjësit e policisë, që do të angazhohen në këtë mision të veçantë dhe rëndësishëm do të japin ndihmën dhe mbështetjen maksimale për zhvillimin e njohurive aftësive të punonjësve afganë të zbatimit të ligjit”.

Nga ana e tij Kryeministri Berisha, shprehu vlerësimet për punonjësit e Policisë së Shtetit, për punën dhe kontributin e tyre madhor në shndërrimin e këtij vendi, në një vend të sigurt, si dhe për kontributin e tyre të madh për jetën, sigurinë, pronën e qytetarëve shqiptarë, funksionimin e ligjit dhe zbatimin e tij.

Ndër të tjera ai shtoi se, “Ky është misioni i parë paqeruajtës i Policisë së Shtetit shqiptar dhe kjo përbën një arritje madhore. Kjo vjen si rezultat i një performance të shkëlqyer në rritje të efektivit të policisë së shtetit në zbatim të ligjit, në mbrojtje të jetës, veprimtarisë dhe sigurisë së qytetarëve shqiptarë. Gjithashtu vjen si rezultat në tërësi i një shkalle të re të përgjegjësive dhe të kualifikimit të policisë shqiptare”.

Sakaq ai shprehu falënderimet për policinë franceze, e cila kontribuoi në stërvitjen e efektivëve shqiptarë, si dhe qeverinë e SHBA-ve dhe forcat amerikane në Afganistan, nën komandën e të cilave do të kryejnë veprimtarinë oficerët shqiptarë. Ndërkohë në përfundim të ceremonisë, Kryeministri i dorëzoi flamurin kombëtar përgjegjësit të ekipit të ekspertëve.

Nga ana e saj Zv/Ambasadorja e SHBA-së Deborah Jones, duke evidentuar rëndësinë e këtij procesi u shpreh se, “Trajnimi është një përbërës thelbësor i departamentit profesional të policisë. Gjatë misionit të tyre 6 mujor këto ekspertë do të ndihmojnë e mbështesin policinë afgane për menaxhimin e personelit dhe komunikimin”.

5 ekspertët e Policisë së Shtetit Shqiptar, që do të shkojnë në Afganistan, janë Kryekomisar Bardhyl Hënaj, Kryekomisar Biordi Shehu, Komisar Ergys Lala, Nënkomisar Artur Prifti, Nënkomisar Fatmir Varfi.

Ndërkaq përgjegjësi i grupit të ekspertëve është, Kryekomisar Bardhyl Hënaj, i cili e cilësoi këtë moment si mjaft të rëndësishëm jo vetëm për Policinë e Shtetit, por dhe për karrierën profesionale të secilit prej tyre.

a.y/NOA

KOMENTE