English

Qëlluan me armë në ahengje familjare, 12 persona bien në pranga

E martë, 19 korrik 2011, NOA- Gjallëria e festimeve dhe e ahengjeve familjare ka vënë në pranga 12 persona.

Burime zyrtare nga policia e Kosovës bëjnë me dije se në kuadër të urdhrit operativ “Sezoni veror”, gjatë fundjavës që lamë pas policia ka konfiskuar 19 armë, në mesin e të cilave shtatë armë automatike, gjashtë pushkë dhe gjashtë revole, që janë përdorur në ahengje të ndryshme familjare.

Një rast i tillë është regjistruar në fshatin Lipovec të Gjakovës ku policia ka arrestuar një mashkull pasi ka shtënë me armë zjarri në një aheng familjar, ndërsa pas kësaj nga i dyshuari është konfiskuar një AK/47 pa municion.

Rasti tjetër është raportuar në fshatin Zhur të Prizrenit ku një i dyshuar gjatë një ahengu familjar ka shtënë me armë zjarri në ajër dhe në mënyrë vullnetare ka dorëzuar një armë automatike me një karikator pa fishek.

Një rast tjetër i ngjashëm është regjistruar në një motel në Lipjan ku policia pas një kontrolli në një veturë të markës Opel ka gjetur dhe konfiskuar një pushkë gjuetie pa fishek. Ndërsa në hyrje të restorantit është gjetur një fishek i kalibrit 9 X 19 mm.

Ndërkaq një tjetër rast ka qenë në fshatin Arllat-Drenas ku policia ka konfiskuar nga organizatori i ahengut një pushkë gjuetie me pesë fishekë të kalibrit 12 mm me leje.

Në fshatin Kliqinë të Pejës është rasti tjetër ku policia ka konfiskuar një armë automatike AK-47 me karikatorin përkatës.

Në fshatin Remnik-Gjilan policia ka realizuar kontroll në dy shtëpi të një të dyshuari ku janë konfiskuar një pushkë Karabinë 7.64 mm dhe një pushkë gjuetie dy-tytëshe prodhim turk dhe një fishek. I dyshuari ka pranuar se kishte shkrepur me armë zjarri në ajër gjatë kohës që kishte qenë në një aheng familjar.

Në rrugën “Wesli Clark” në Gjakovë është arrestuar një mashkull kosovar pasi gjatë një ahengu familjar ka shtënë me armë zjarri. Nga i dyshuari është konfiskuar një revole e tipit CZ të kalibrit 9 mm me një karikator. Në vendngjarje policia ka arrestuar edhe një të dyshuar për të njëjtën arsye gjatë një ahengu familjar ka shtënë me armë zjarri në restorant. Nga i dyshuari është konfiskuar një revole e tipit CZ të kalibrit 9 mm me një karikator ndërsa në vendin e ngjarjes janë gjetur dy gëzhoja.

Ndërkaq Policia e Kosovës apelon te qytetarët dhe kërkon nga ata që t’u shmangen veprimeve të tilla për arsye të sigurisë së tyre dhe sigurisë së të tjerëve.

a.y/NOA

KOMENTE