English

Raundi i bisedimeve shtyhet në shtator. Tahiri: Serbia fajtore

Prishtinë, 19 korrik 2011, NOA- Në kundërshtim me çfarë ishte lajmëruar nga Kryeministria e Kosovës raundi i radhës i bisedimeve me Serbinë nuk do të mbahet nesër dhe as pasnesër.

Ky anulim është bërë i ditur fillimisht nga kryenegociatori serb Borisllav Stefanoviç, i cili u shpreh se, “Pala kosovare ka insistuar në elemente të shtetësisë në zgjidhjet e propozuara, çka është e papranueshme për ne. Kanë kërkuar që telekomi plotësisht të hiqet nga Kosova, që në vulën doganore të jetë stema e tyre, që kadastri të mos harmonizohet, por vetëm të jetë lëndë krahasuese”.

Ndërkaq i dërguari i Bashkimit Evropian në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, Robert Cooper ka bërë të ditur se deri në muajin shtator më nuk do të ketë takime mes palëve.

“Kemi marrë vendim që të anulojmë takimin e nesërm të dialogut dhe i kam informuar që të dy palët për këtë. Tani jemi në fazën e diskutimeve ku jemi shumë afër marrëveshjeve për disa çështje dhe nuk ka pse të mbahet takimi përderisa nuk jemi në gjendje që të arrijmë ndonjë marrëveshje”, ka thënë i dërguari i BE-së në dialogun Prishtinë-Beograd.

Sipas tij, ishte e qartë se kjo nuk do të ndodhte nesër, kështu që u vendos se do të ishte më mirë që të mos kishte takim, por të rifillohet në shtator, ku mendohet se do të ketë një perspektivë më të mirë për pajtueshmëri për çështje të caktuara.

Ndërkaq menjëherë pas këtij lajmi kryenegociatorja kosovare Edita Tahiri u shpreh se, faji për anulimin e raundit të bisedimeve është i Serbisë.

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, ka takuar sot pasdite në Bruksel ndërmjetësin e BE në dialogun teknik Robert Cooper në prag të raundit të gjashtë të bisedimeve.

Sipas Tahirit, Cooper me keqardhje ka njoftuar për vendimin për të anuluar raundin e gjashtë të bisedimeve, me arsyetimin se kishte vlerësuar se ka nevojë që të punohet më tepër për finalizimin e marrëveshjeve në katër çështjet të cilat janë shumë afër zgjidhjes, si energjia, telekomunikacioni, tregtia e lirë dhe kadastrat.

Tahiri në këtë takim ka konfirmuar angazhimin e Qeverisë së Kosovës për të kontribuar për zgjidhje evropiane të këtyre çështjeve dhe se ka udhëtuar në Bruksel e përgatitur maksimalisht për të arritur rezultate konkrete. Ajo ka vlerësuar angazhimin e BE-së për dialogun teknik duke potencuar se pala e Kosovës do të vazhdojë përkushtimin për dialogun teknik me besimin se ky dialog është në dobi të qytetarëve dhe në dobi të integrimit sa më të shpejtë të Kosovës në Bashkimin Evropian.

Nëpërmjet një deklarate zyrtare pas këtij takimi, zëvendëskryeministrja Tahiri ka thënë se raundi i gjashtë i dialogut është anuluar me fajin e palës serbe e cila nuk është treguar e gatshme ta pranojë marrëveshjen për tregtinë e lirë, përkatësisht njohjen e vulave të doganave të Kosovës, të njohura tashmë nga Bashkimi Evropian.

Sipas Tahirit, me këtë qëndrim, Serbia vazhdon të shkel parimet e lëvizjes së lirë të

mallrave, si një prej parimeve fondamentale të Bashkimit Evropian,

a.y/NOA

KOMENTE