Stipe Mesiq, sfidues ndaj luftës dhe robërisë, ndërtues i paqes dhe mbrojtës i lirisë
Nga Behxhet Sh. Shala
Kryesia kolektive e robërisë kolektive: Stipe Mesiq, kryetari i fundit i Jugosllavisë socialiste i lindur në Orahovica, Kroaci, më 24 dhjetor 1934 sipas fjalëve të nënës së tij Marie edhe si fëmijë ishte dinak, i mençur dhe i rryer, tipare këto që do t’i ndihmonin shumë në rrugëtimin e tij të gjatë njerëzor, kombëtar dhe politik. Në përfundim të shkollës së mesme u pranua në Lidhjen e komunistëve dhe pastaj e përfundoi fakultetin juridik në Zagreb.
Karrierën e nisi si praktikant në Gjykatën komunale në vendin e lindjes dhe në prokurorinë në Nashice për të bërë pastaj hapin e parë si politikan si kryetar i Orahovicës. Po në këtë kohë u bë edhe deputet në Kuvendin e Kroacisë. Ndonëse shumë më pak se tani, veturat zyrtare keqpërdoreshin edhe në kohën e komunizmit prandaj Stipe Mesiq, duke denoncuar këtë shpërdorim, mbase si komunist idealist gati se u përjashtua nga LKJ e që nuk ishte diçka e mirë në atë kohë.
Fërkimet apo përplasjet e para me shokun e do shokëve që sot mbajnë pozita të rëndësishme politike në Kosovë, me shokun Tito pra i pati në kohën kur propozonte të hapej fabrika private në Orahovica. Shoku Tito e thirri personalisht duke e akuzuar se në shtetin ku lulëzon komunizmi po bënë përpjekje ta fusë kapitalizmin “nëpër dyer të vogla”.
Në fillim të viteve të shtatëdhjeta u bë aktivist i Amës kroate dhe për shkak të përkrahjes së Lëvizjes Masive Kroate u dënua me 2 vite e 2 muaj burg me një nen që ishte identifikuar me dënimin e shqiptarëve, “propaganda armiqësore”.
I burgosuri, në të shumtën e rasteve gjatë vuajtjes së dënimit, vetëm e vazhdon aktivitetin për çka është dënuar duke e kryer një universitet brenda grilave. Pikërisht për burgun më së miri i përshtatet thënia: “Me kënd rri, i tillë do të bëhesh”.
Nëse keni hyrë në burg si hajn ordiner atëherë, pas përfundimit të burgut do të kualifikoheni si grabitës i bankave apo profesionist i zanatit. Nëse jeni dënuar për propagandë armiqësore atëherë keni pasur dy mundësi. E para, të përfundoni si bashkëpunëtor i regjimit ose të përparoni në” rrezikues të shkatërrimit të Jugosllavisë, irredentist apo separatist”.
Mesiqi vuajti burgun me ajkën e patriotëve kroatë siç ishin : Vlado Gotovac, Marko Veselica, Drazhen Budisha, Petro Shale etj. Nëse për shqiptarët Hasan Prishtina ishte vet ideja dhe bërthama e shtetit shqiptar dhe shqiptarisë, për kroatët ishte Ante Starçeviq. Nëse për shqiptarët zbatues dhe frymëzues për krijimin e shtetit ishte Adem Demaçi, për kroatët ishte Franjo Tuxhmani.
Pikërisht Stipe Mesiq ishte sekretari i partisë së Tuxhmanit HDZ, Bashkimi Demokratik Kroat dhe mik i Tuxhmanit pas themelimit të saj në vitin 1989. Gjithashtu ishte kryeministër i Qeverisë së Kroacisë para se të dërgohej në Beograd si zëvendësim i Stipe Shuvarit. Së pari ishte nënkryetar i Kryesisë kolektive të ish Jugosllavisë dhe në maj të vitit 1991, sipas një automatizmi duhej të bëhej kryetar i Jugosllavisë. Mirëpo forcat nacionaliste serbe rreth Millosheviqit e penguan për më tepër se dy muaj të marr këtë post dhe vetëm pas presionit ndërkombëtar u bë kryetar për të dhënë dorëheqje në dhjetor të po atij viti.
Pas shpalljes së pavarësisë së Kroacisë, në fillim të vitit 1992 Stipe Mesiq u bë kryetar i Kuvendit të Kroacisë. Më vonë pati përplasje me mikun e tij Franjo Tuxhman për rolin e Kroacisë në Bosnje dhe Hercegovinë dhe u largua nga HDZ duke formuar një subjekt të ri politik HNS. Nga Tuxhman u cilësua si cigan dhe tradhëtar dhe një kohë mbeti në margjina të mediave në Kroaci.
Në zgjedhjet presidenciale në Kroaci në vitin 2000 në balotazh e mund bindshëm Drazhen Budishën ndërsa në zgjedhjet 2004 për mandat të dytë për kryetar të Kroacisë me 66% të votave e mund kandidaten e HDZ, ndryshe kryeministre aktuale e Kroacisë, Jadranka Kosor. Stipe Mesiq njihet si një antifashist dhe humanist i vendosur.
Varrëmihës apo mbulues i varrit të quajtur Jugosllavi : Me t’u zgjedhur kryetar i Kuvendit të Kroacisë Stipe Mesiq deklaroi se “më nuk ka Jugosllavi” duke e potencuar edhe rolin e tij në shkatërrimin e këtij përbindëshi artificial që në mënyrë flagrante shkelte të drejtat e njeriut, të drejtat politike, të drejtat kombëtare dhe të drejtën për shtet. Burgjet e ish Jugosllavisë komuniste ishin të mbushur me shqiptarë dhe kroatë, kryesisht. Aty edhe u krijuan aleancat e natyrshme sepse po vuanim prej një regjimi shtypës dhe diskriminues. Miqësitë e burgut u shndërruan në interes politik dhe kjo u reflektua pikërisht në kohën e shkatërrimit të ish Jugosllavisë.
Vendimin për vdekjen e ish Jugosllavisë e shkruan vet serbët që nuk pranonin asnjë koncept të shtetit përveç Serbisë së Madhe. As konceptin e konfederates së Jugosllavisë të cilën fillimisht e përkrahnin Kroacia dhe Sllovenia, me dinakëri dhe mençuri të madhe. Vendimin për shkatërrimin e ish Jugosllavisë e bëri të plotëfuqishëm ish diktatori Sllobodan Millosheviq, varrin e hapën shqiptarët dhe kroatët ndërsa detyrën për të mbuluar këtë kufomë shtetërore me sukses e kreu kryetari i saj i fundit, Stipe Mesiq.
Në kohën kur të burgosurit politik shqiptarë që vuanin në burgjet e ish Jugosllavisë por edhe ata që e donin lirinë duke kërkuar të drejta politike, njerëzore dhe kombëtare nuk kishte kush t’i përfaqësonte në institucionet e federates jugosllave ishin Stipe Mesiq, Janez Dërnovshek, Millan Kuçan që na i mbanin gjallë shpresat për liri dhe që na bënin të besojmë në njeriun. Ata, duke e denoncuar regjimin kriminel të Millosheviqit ishin avokatë në mbrojtje të të drejtave të një populli të robëruar, popullit shqiptar ndonëse përballeshin me rreziqe edhe për jetën e tyre.
Kush, në fakt do të garantonte se Stipe Mesiq nuk do ta pësonte fatin e Millan Shuflajt apo vëllezërve Radiq? Apo të Andrija Hebrangut. Në fakt, ne edhe i konsideronim këta, Stipe Mesiqin në radhë të parë përfaqësues të shqiptarëve sepse “ përfaqësusit “ shqiptarë nga Kosova ishin më të këqinj se vet serbët. Stipe Mesiqi ua mbante si shpatë mbi kokë serbëve (Joviqit, Kostiqit, Bullatoviqit, Mojsovit, Jokanoviqit, Bajramoviqit etj. ) Kushtetutën e vitit 1974 dhe heqjen me dhunë të autonomisë së Kosovës në kohën kur disa që janë shumë të pushtetshëm sot në Kosovë si politikanë, këshilltarë politikë etj. deklaronin se me ndryshimet kushtetuese Kosova nuk humb asgjë por vetëm fiton. Mbahen mend diskutimet e tij në përballje me “njerëzit” e Millosheviqit, në mbrojtje të legalitetit dhe legjitimitetit. Në kohë të vështira Stipe Mesiq ishte më shqiptar se shumë “ shqiptarë” që mrizonin nën flladin serbomadh. Madhështia e një politikani nuk qëndron në faktin se si e ka fituar luftën por si e ruan paqen. Pikërisht Stipe Mesiq është shembull konkret se si ndërtohet paqja duke e mbrojtur luftën. Ai e mbrojti luftën kroate duke u distancuar nga keqbërësit dhe profiterët e luftës.
Ashtu siç kërkonte drejtësi dhe liri për të shtypurit ai kërkonte drejtësi edhe për viktimat e luftës. Kështu e bëri edhe në shkurt të vitit 2007 në Zagreb në kohën kur veteranët e luftës protestonin në qendër të Zagrebit.
Mik i Kosovës dhe shqiptarëve : Kryetari Mesiq ka vlerësuar dhe çmuar kontributin e shqiptarëve në luftën çlirimtare të Kroacisë. Në atë kohë i Madhi Fehmi Ladrovci dhe e Madhja Xhevë Lladrovci – Krasniqi luftuan për lirinë e popullit kroat ashtu si do të luftonin për lirinë e popullit shqiptar.
Ata, së bashku me Bekim Berishën- Abejën dhe shumë shqiptarë të tjerë e përvetësuan shkathtësinë e artit luftarak të cilin pastaj e zbatuan në luftën në Kosovë. U stërvitën me qindra luftëtarë dhe u krijuan parakushtet për stërvitjen e një numri shumë më të madh të shqiptarëve të cilët do të përbënin zemrën e ushtrisë së ardhme të Kosovës. Mirëpo, u gjetën disa qyqarë dhe zuzarë politikë në mesin e shqiptarëve që e shpërndanë Brigadën që udhëhiqej nga i Madhi Fehmi Lladrovci sepse nuk dëshironin që në Kosovë të organizohej kryengritja e armatosur. Ata që e kishin përnjëmend e vazhduan luftën, deri në çlirimin e Kroacisë. Të dorëzuarit e futën në një kënetë paqësore duke mohuar të drejtën për përgatitjen e rezistencës së armatosur.
Stipe Mesiqi ka përkrahur shqiptarët dhe Kosovën në ditët më të vështira e gjithashtu edhe pas përfundimit të luftës në Kosovë. Mund të llogaritet edhe si fat për Kosovën që në vitin 2000 u zgjodh kryetar i Kroacisë andaj përkrahja vazhdojë në rrethana tjera dhe nga një pozitë e fuqishme. Përkrahja e tij shkonte në dy drejtime.
Lobonte urbi et orbi për pavarësinë e Kosovës e njëkohësisht, me intervista dhe në mënyra tjera i dërgonte porosi Beogradit se është krijuar një realitet i ri në Kosovë dhe se duhej të pranohej ky realitet. Në kohën kur Kroacia ende nuk i kishte normalizuar raportet me Serbinë. Përveç përkrahjes politike, Stipe Mesiq e përkrahte edhe ekonomikisht Kosovën duke shtytur investitorët kroatë të investojnë në Kosovë. Për këtë arsye u hap Oda Ekonomike e Kroacisë në Kosovë në vitin 2000 pikërisht me angazhimin e Stipe Mesiqit dhe punën e palodhshme të znj. Iliriana Shehu.
Kështu, shumë firma kroate filluan aktivitetin në Kosovë duke kontribuar në ringjalljen ekonomike të Kosovës dhe duke ndërtuar rrugët e bashkëpunimit ekonomik midis dy shteteve.
Edhe pas përfundimit të mandatit të dytë si kryetar i Kroacisë, ndikimi i tij, sa i përket lobimit për njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës mbetet shumë i fuqishëm dhe afirmativ. Stipe Mesiq përkrahu aktivitetet e Forumit të Intelektualëve Shqiptarë në Kroaci duke krijuar kushte për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe kulturor të shqiptarëve që vazhdojnë të jetojnë në Kroaci.
Prandaj, promovimin e librit :” Si është shkatërruar Jugosllavia” të përgatitur nga : mr. sc. Muhamet Morina, Xhelal Fejza, përkthyes, Bukurije Fejza, lektore, prof. dr. sc. Behlul Bestovci, recensent, Mahir Nesimi politolog i dipl. , recensent, mr. dr. sc. Tahir Ramqaj, recensent, Augustin Palokaj, gazetar i diplomuar, recensent, inxh. i diplom. Shuip Ziberi ideja e kopertinës dhe inxh. i diplom. Vandolin Palokaj, grafika dhe përpunimi elektronik i cili do të bëhet më 19 korrik në Prishtinë përveç se është një mbrëmje letrare dhe ngjarje kulturore, më shumë mund të llogaritet si vazhdim i aktivitetit politik të Stipe Mesiqit në përkrahje të pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe fuqizimit të rolit të saj në skenën ndërkombëtare.
Për këtë arsye duhet të vlerësohet dhe respektohet roli i Stipe Mesiqit para, gjatë dhe pas thyerjeve të mëdha në këtë pjesë të Evropës pas së cilës lindën shtetet e pavarura, Kroacia dhe Kosova. Stipe Mesiq ishte, është dhe do të mbetet mik dhe përkrahës i shqiptarëve dhe Republikës së Kosovës. Sikur i të gjithë popujve që janë të shtypur dhe luftojnë për lirinë e tyre.
* Dërguar nga autori i shkrimit, është ish- i burgosur politik shqiptar në Kroaci