English

Shqipëria raporton sot në Bruksel, BE e pakënaqur: Mungon dialogu politik

E martë, 19 korrik 2011, NOA – Shqipëria do të raportojë sot në Bruksel gjatë mbajtjes së Këshillit të 3-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim – Asociimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.

Drafti paraprak i përpiluar nga presidenca polake vlerëson zgjedhjet vendore të 8 majit në Shqipëri, por u bën thirrje palëve të ngrihen mbi interesat partiake si e vetmja rrugë për përmbushjen e 12 rekomandimeve të vendosura nga Bashkimi Europian.

Më herët burime nga Brukseli bënë të ditur se Bashkimi Europian dhe presidenca polake janë të kënaqur që konfliktet dhe mosmarrëveshjet gjatë procesit elektoral u zgjidhën brenda kuadrit ligjor dhe atij kushtetues.

Ky qëndrim i Brukselit pritet të rivlerësohet edhe sot në Parlamentin Europian në Këshillin i 3-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim – Asociimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, që do të mbahet pasdite.

Në këtë takim është lajmëruar se do të marrin pjesë nga pala shqiptare edhe ministrja e Integrimit Majlinda Bregu dhe zëvendëskryeministri e ministri i Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto.

BE pritet t’i rekomandojë palës shqiptare vendosjen sa më shpejt të dialogut politik mes forcave politike si dhe t’i kërkojë zbatimin e 12 rekomandimeve të Komisionit Europian, të dhëna në opinionin e vitit të shkuar.

Zyrtarët europianë kanë deklaruar se në Shqipëri mungon uniteti politik për integrimin europian të vendit, çka e bën sipas tyre më të vështirë ndihmën e Bashkimit Europian ndaj vendit tonë.

Një fakt të tillë e përmendi edhe Komisioneri për Zgjerimin në BE, Stefan Fule gjatë vizitës së tij në Tiranë në mars të këtij viti.

Zoti Fule deklaroi prerë se 12 rekomandimet e Opinionit të Komisionit Europian për Shqipërinë janë rruga e vetme dhe shumë e qartë për t’u afruar me Europën e Bashkuar.

Kjo mbledhje përkon edhe me nisjen e sezonit të pushimeve, ndërkohë që opozita shqiptare ka deklaruar se do t’i rikthehet vendeve të saj në Parlament vetëm pas tyre, në nisjen e sesionit të ri parlamentar, në shtator.

Funksionimi i Parlamentit mbi bazën e një dialogu politik konstruktiv dhe të qëndrueshëm mes të gjitha partive politike është edhe rekomandimi i parë i KE-së, boshti ku mbështeten edhe zbatimi i të gjitha rekomandimeve të BE-së për Shqipërinë dhe rrugëtimin e saj drejt Europës së Bashkuar.

mit/NOA

KOMENTE