Londër, 19 korrik 2011, NOA – Gjendet i vdekur në Londër, Shon Hor, i pari gazetar britanik, që dha alarmin për skandalin e përgjimeve të së përditshmes britanike ‘News of the World’, e manjatit Rupert Murdoch.
Vdekja e gazetarit Shon Hor cilësohet dyshimtë nga policia britanike, raportojnë mediat vendase.
Vdekja e tij ndodhi pikërisht një ditë pas dorëheqjes së shefit të Scotland Yard, Sir Paul Stephenson, emri i të cilit doli gjatë hetimeve të skandalit që ka përfshirë Britaninë e Madhe.
Emri i Sir Paul Stephenson, si i implikuar në këtë skandal doli nga marrja në pyetje e ish-zëvendësdrejtorit të ‘News of the World’, Neil Wallis, pjesë e grupit mediatik News Corp, i cili deklaroi se shefi i policisë britanike ka pranuar prej tij dhurata të ndryshme, si qëndrimin prej 20 ditësh në një SPA luksi.
Sir Paul Stephenson u dorëhoq pas arrestimit të Rebeca Books ish-redaktore e News of the World dhe përfaqësuese e lartë e perandorisë mediatike News Corp si dhe Les Hinton, këshilltari drejtues i kompanisë Dow Jones & Co, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Skandali i përgjimeve që gazeta britanike “News of the World” e grupit mediatik të manjatit Rupert Murdoch ndërmori në vitet 1997 – 2002 dhe ku përmes korruptimit të policëve britanikë arriti të përgjonte telefonat e njerëzve të njohur dhe të thjeshtë në Britani ka detyruar dy zyrtarë të lartë të policisë britanike të dorëhiqen.
Manjati Rupert Murdoch dhe i biri i tij James do të paraqiten sot përpara parlamentit britanik për t’iu përgjigjur pyetjeve rreth skandalit të përgjimit të telefonave të gazetës ‘News of the World’, e mbyllur tashmë 168 vite pas themelimit të saj.
Ndërkohë, skandali ka bërë që kryeministri britanik David Cameron të kthehet më shpejt nga vizita e tij në Afrikë.
Tabloidi britanik ‘News of the World’ u mbyll javën e shkuar pas publikimit të skandalit të përgjimeve të figurave të njohura publike, politikanëve, gazetarëve, madje edhe viktimave të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Lidhur me këtë skandal paralelisht edhe FBI ka nisur hetimin për të mësuar nëse janë të vërteta akuzat se gazetarët britanikë kanë përgjuar telefonat e viktimave të sulmeve terroriste në kullat binjake si edhe nëse janë përpjekur t’i japin rryshfet policisë për vjeljen e informacioneve.
mit/NOA