English

Vendimi/METE gjobit 8 shoqëri në fushën e hidrocentraleve, paralajmërohen 30

Tiranë, 19 korrik 2011, NOA- Disa masa ndëshkimore janë marrë gjatë ditës së sotme nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës për disa shoqëri koncensionare, të cilat nuk kanë plotësuar detyrimet e përcaktuara në kontratat që kanë lidhur me METE për ndërtimin e hidrocentraleve në Shqipëri.

Burime zyrtare nga METE bëjnë të ditur për agjencinë e lajmeve NOA se, pas disa paralajmërimeve që janë bërë nga ana e METE, Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Nasip Naço vendosi sot aplikimin e penaliteteve për këto shoqëri koncensionare, si rezultat i mos respektimit të afateve.

Nga kjo ministri theksohet se këto shoqëri janë njoftuar që në muajin shkurt mbi penalitetin për moszbatim të afatit të dorëzimit të projektit të zbatimit.

Sipas METE ndaj këtyre shoqërive kërkohet shlyerja e detyrimeve brenda 30 ditësh ndërsa paralajmërohet se në rast të mosshlyerjes në kohë të këtij penaliteti, do të kërkohet pagesa e kamatave ligjore dhe zgjidhjen e kontratave.

Sakaq vetëm pak ditë më parë, në një seminar të mbajtur për Hidrocentralet në Shqipëri, Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z. Nasip Naço shprehu vendosmërinë në zbatimin me rigorozitet të kontratave koncensionare për ndërtimin e HEC-eve.

Me këtë rast Naço theksoi se, METE nuk mund të tolerojë që investimet dhe projektet me rëndësi kombëtare të mbeten peng i disa kompanive fantazmë të cilët janë kthyer në sekser në dyert e kësaj Ministrie.

Mësohet se janë tetë shoqëri ato që rrezikojnë ndëshkimin dhe shuma për shkeljen e detyrimeve me ministrinë llogaritet të jetë 2 547 400 lekë, ndërsa theksohet se janë paralajmëruar edhe 30 subjekte të tjera për mosrespektim afatesh të dorëzimit të projektit të zbatimit.

“Mosplotësimi i kësaj kërkese përbën shkelje të detyrimit kontraktual, ndaj të cilit Autoriteti Kontraktues do të mbajë qëndrimin e duhur ligjor, bazuar në Ligjin Nr. 9663, datë 18.12.2006 “Për koncesionet” i ndryshuar, dhe VKM Nr. 27, dt. 19.01.2007 “Për miratimin e rregullave të vlerësimit dhe të dhënies së koncesioneve”, i ndryshuar”, thuhet në vendimin e marrë sot nga METE.

a.y/NOA

KOMENTE