English

Zgjedhjet, deklaratë e përbashkët e zyrtarëve të BE, Ashton dhe Fyle

Bruksel, 19 korrik 2011 NOA - Pas takimit të 3-të të Këshillit të Stabilizim - Asocimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian në Bruksel, përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Catherine Ashton dhe Komisioneri për Zgjerim Stefan Fyle, kanë dalë në një deklaratë të përbashkët për Shqipërinë. Në deklaratën e publikuar në faqen zyrtare të BE thuhet: “Konstatojmë me shqetësim se ka pasur polemika dhe polarizim mbi vendimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Kolegjit Zgjedhor, duke përfshirë edhe vendimin e fundit dhe arsyetimin nga Kolegji Zgjedhor". "Ne kujtojmë se Këshilli i BE-së më 20 qershor theksoi se mangësitë në kornizën ligjore dhe procesin zgjedhor do të duhet të trajtohen në mënyrë gjithëpërfshirëse, efikase dhe konsensuale nëpërmjet një reforme të plotë zgjedhore, në përputhje me të gjitha rekomandimet e OSBE / ODIHR.

Për këtë qëllim, ne presim vlerësimin përfundimtar të OSBE / ODIHR-it. Në këtë kontekst, ne mirëpresim nismën nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, z. Thorbjørn Jagland, duke i kërkuar Komisionit të Venecias mendim se si të shmangen situata të ngjashme në zgjedhjet e ardhshme. Ne presim që kjo të mbështetet nga të gjitha palët në Shqipëri si pjesë e një përpjekje serioze për të tejkaluar vështirësitë e vërejtura gjatë zhvillimit të zgjedhjeve në Shqipëri, më së fundi në vitin 2011", thuhet në deklaratën e përbashkët të Ashton dhe Fyle.

"Tani që Kolegji Zgjedhor ka përfunduar detyrën e tij, është koha që forcat politike në Shqipëri të kapërcejnë bllokimin politik dhe dialogu politik të kthehet në një nivel që do të lejonte funksionimin e duhur të institucioneve kryesore demokratike, sidomos parlamentit. Puna në adresimin e rekomandimeve të Komisionit Evropian, në veçanti 12 prioritetet kyçe, dhe sfida të tjera kryesore, duhet të ndiqen në mënyrë efektive dhe përfshirëse, në mënyrë që të arrihet përparim në rrugën e integrimit në BE, reformat elektorale dhe kushtetuese, reformat e rregullave parlamentare dhe procedurave, si dhe reformat e tjera të rëndësishme, të cilat janë të domosdoshme dhe urgjente. Bashkimi Evropian është i përgatitur për të lehtësuar këtë detyrë përmes procesit të Seminarit të nisur në fillim të këtij viti”, nënvizuan Fyle dhe Ashton.

a.q/NOA

KOMENTE