English

Akses ligjor shqiptarëve për punësim në Itali, firmoset marrëveshja

Ministri i Punës Spiro Ksera, vizitë zyrtare në Itali. Ksera – Saçoni firmosin Memorandumin që do t’u mundësojnë shqiptarëve akses në tregun italian të punës

Romë, 20 Korrik 2011 NOA/ Albana Qehajaj - Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, zoti Spiro Ksera, zhvilloi një takim zyrtar në Itali gjatë të cilit u takua dhe bisedoi edhe me homologun e tij italian, Maurizio Saçoni.

Takimi mes dy Ministrave u mbyll me nënshkrimin e Memorandumit dypalësh të Mirëkuptimit për zbatimin e Marrëveshjes për Migracionin e Punës, i cili do të mundësojë lehtësimin e procedurave të përzgjedhjes, rekrutimit dhe integrimit të shtetasve shqiptarë në tregun italian të punës.

Ministri Ksera në një prononcim për agjencinë NOA tha sot se “firmosja e këtij memorandumi në një kohë të tillë kur kriza ekonomike ka përfshirë shumë vende, është shumë e rëndësishme për Shqipërinë, pasi do t’u mundësojë shtetasve shqiptarë që të përfitojnë punësim edhe në tregun italian të punës”.

Duke u ndalur në Zyrën e Koordinimit, e cila do të çelet në shtatorTiranë dhe që do të mundësojë ofrimin e kërkesë-ofertës edhe me tregun italian të punës, Ksera u shpreh se procesi i dixhitalizimit të shërbimeve të punësimit që ka filluar tashmë do ta lehtësojë mirëfunksionimin e kësaj zyre dhe zbatimin e memorandumit, nga i cili pritet të përfitojnë një numër i pakufizuar shtetasish shqiptarë.

Ministri Saçoni vlerësoi si mjaft pozitive menaxhimin e deritanishëm të problematikës së flukseve migratore mes dy vendeve, praktikë e cila do çohet më tej nëpërmjet firmosjes së këtij Memorandumi.

Sipas Saçonit, ky memorandum çel një rrugë legale për menaxhimin e fluksit migratore, pasi bën eficente dhe transparente ofertën dhe kërkesën në tregun e punës mes Shqipërisë dhe Italisë.

Ministri Ksera ftoi homologun Saçoni për një vizitë zyrtare në Tiranë, ftesë e cila u mirëprit me kënaqësi.

Takimi mes Ministrave u parapri nga takimi i ekspertëve të të dyja Ministrive, të cilët diskutuan rreth mënyrës së zbatimit të Memorandumit, ku u ra dakord për ngritjen e Zyrës së Koordinimit në shtator, pranë Ambasadës Italiane, e cila në bashkëpunim me strukturat e Ministrisë shqiptare të Punës dhe shërbimet shqiptare të punësimit do t’u mundësojë punëkërkuesve shqiptarë punësim edhe në tregun italian të punës.

a.q/e.t/NOA

KOMENTE