English

Banorët duan plazhin, qeveria mbyll poligonin e asgjësimit të municioneve

Durrës, 20 Korrik 2011 NOA – Zëvendësministri i Mbrojtjes z.Ekrem Spahiu ka inspektuar Poligonin Jub- Sukth, ku së fundi është ndërprerë procesi i asgjësimit të municioneve të tepërta në këtë zonë.

Zv/ministri Spahiu gjatë inspektimit në këtë poligon, shoqërohej nga Komandanti i Mbështetjes Logjistike, gjeneral brigade Xhemal Gjunkshi, Komandanti i qendrës së asgjesimit të municioneve nënkolonel Shkëlzen Mhillaj, efektivë të Shtabit të Brigadës Logjistike, si dhe përfaqësues të pushtetit vendor dhe lokal.

Tani e tutje Poligoni Jub -Sukth do të jetë në funksion të komunitetit dhe qeveria thotë se ai tashmë nuk paraqet asnjë rrezik për ta.

Ky poligon ka asgjësuar municione të tepërta prej vitesh. Spahiu tha se tani që janë ndërprerë asgjësimet në këtë poligon dhe po vazhdojmë pastrimin dhe rehabilitimin e plotë të kësaj zone.

Duke u nisur nga fakti se qeveria shqiptare ka shpallur prioritet kryesor turizmin dhe duke parë se stoku i municioneve të tepërta po bien, si dhe duke marrë në konsideratë kërkesat e banorëve të kësaj komune për të shfrytëzuar plazhin e Jub-Sukthit, ne sot vijmë për të inspektuar pikërisht pastrimin e këtij poligoni”, - tha Spahiu.

Qeveria shqiptare në bashkëpunim me qeverinë e SHBA-së me Fondin Ndërkombëtarë të Besimit, me zyrat e PNUD-it në Tiranë po bashkëpunojmë për të filluar edhe një pastrim më të plotë deri në certifikimin e plotë të këtij poligoni .

Zv/ministri i Mbrojtjes i ka kërkuar banorëve të zonës se gjatë kohës së shfrytëzimit të zonës nga qytetarët në stinën e verës por edhe në vazhdimësi, nëse gjejnë ose konstatojnë mbetje të elementëve të municioneve, janë të lutur të mos i prekin por të njoftojnë menjëherë policinë dhe Forcat e Armatosura. Ndërkohë nga ana tjetër, komandanti i BrML, gjeneral Xhemal Gjunkshi gjatë

fjalës së tij në këtë polikon u shpreh: “Është një detyrë e rëndësishme për Forcat e Armatosura, një detyrë e cila duhet të përfundojë në fund të vitit 2013. Brigada e Mbështetjes Logjistike ka një detyrë shumë të rëndësishme në këtë drejtim, jo vetëm për përqendrimin dhe transportimin e sasisë së municioneve në uzinat dhe poligonet e asgjësimit, por ajo është e angazhuar drejt për drejt në asgjësimin e tyre në 10 poligone të tjetra, duke mbajtur një peshë të rëndësishme në këtë proces”.

“Ne kemi besim, - vijoi ai, - se misioni ynë do të përfundojë me sukses në afatin e përcaktuar nga Qeveria Shqiprtare dhe Ministria e Mbrojtjes, duke patur në qendër të kujdesit tonë, jetën e njerëzve që merrnin pjesë në këtë mision, por edhe të banorëve të zonave ku ne kemi ngritur poligonet. Në përfundim të të gjithë procesit të asgjësimit, ne siç kemi bërë me poligonin e Jub-Sukthit, do ta shndërrojmë atë në një vend të sigurt, të certifikuar dhe në gjendje për t’u shfrytëzuar nga banorët e zonës”, nënvizoi gjeneral Gjunkshi”. Gjatë inspektimit në poligoni Jub-Sukth, përshëndeti edhe deputeti i Partisë Demokratike në këtë zonë, njëkohësisht Anëtar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare z. Osman Metalla, i cili ndër të tjera e konsideroi këtë proces si mjaft të rëndësishëm për rikthimin e zonës së rehabilituar në funksion të komunitetit. Poligoni i Jub-Sukthit ndodhet në territorin e Komunës së Jubes, rreth 15 km larg nga Qyteti i Durrësit. Ky Poligon është në administrim të Forcave të Armatosura dhe është përzgjedhur si një ndër poligonet Kombëtare për stërvitje dhe qitje luftarake.

Në mbështetje të objektivit të qeverisë për turizmin, reduktimit të sasisë së municioneve që kanë mbetur për asgjësim me detonim, Ministria e Mbrojtjes ka miratuar mos përdorim e këtij poligoni në të ardhmen për asgjësim municioni.

e.t/NOA

KOMENTE