Tiranë, 20 korrik 2011, NOA- Në një ceremoni përkujtimore të mbajtur me rastin e 5 vjetorit të ndarjes nga jeta të Gramoz Pashkos, Kryeministri Berisha e cilësoi atë si një nga intelektualët më të shquar që ka pasur vendi ynë dhe njeriu më liberal i kombit.
Gjatë fjalës së mbajtur me këtë rast Kryeministri Berisha u shpreh se, “Sot ne këtu, që të gjithë ndjehemi krenar që patëm një mik si Gramoz Pashko një njohës, një personalitet dhe unë ndihem shumë i privilegjuar dhe i nderuar, krenar për njohjen dhe miqësinë time. Në vitin ‘90 para se të fillonte lëvizja u përpoqa të takoja ata intelektualë, jo të shumtë ç’ishte e vërteta, që kishin shprehur një mendim disi ndryshe, i vetmi që ishte shpirt i lirë ishte Gramoz Pashko”.
Ai tha më tej se Pashko është një nga themeluesit kryesor të Partisë Demokratike, duke shtuar se selia e parë e Partisë Demokratike, që do themelohej pas 45 vitesh diktaturë ishte shtëpia e Gramoz Pashkos .
Sakaq Berisha shtoi se Gramoz Pashko ishte hartuesi kryesor të programit ekonomik të opozitë shqiptare në vitet 90, duke thënë se ai është themelues i ekonomisë së tregut në Shqipëri.
Krahas kësaj kreu i qeverisë tha se Gramoz Pashko ishte edhe ideatori dhe një ndër kontribuesit kryesor të programit të PD-së, duke shtuar se si njeri i guximshëm dhe me vizion ishte themeluesi i parë i universitetit të e parë privat në vend.
Gramor Pashko pesë vite më parë, humbi jetën në detin Adriatik, pasi helikopteri me të cilin transportohej trupi i tij me qëllime kurimi pas gjendjes se komës, u rrëzua gjatë një aksidenti.
Pashko po transportohej me helikopter pasi mbeti i plagosur dhe dëmtuar gjatë kohës që lahej në det në Himarë. Bashkë me Pashkon humbën jetën më 16 korrik të vitit 2006, djali i tij 24-vjeçar, Rubeni, pilotët Temush Heba, Vangjel Kondi, inxhinieri Qemal Koni dhe mjeku Aleksander Bualoi.
a.y/NOA