Tiranë, 20 korrik 2011, NOA – Dy emrat e rinj të kabinetit të qeverisë Berisha që plotësuan vendet e mbetura vakante pas zgjedhjeve vendore të 8 majit pritet të dekretohen nga Presidenti i Republikës Bamir Topi.
Kryeministri Sali Berisha firmosi dje emërimin e Eduart Halimit si ministër i Drejtësisë që pason në këtë post Bujar Nishanin, i dërguar më parë në postin e Ministrit të Brendshëm pas kandidimit të Lulzim Bashës për kreun e bashkisë së Tiranës, dhe Aldo Bumçin si ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, i cili pritet të ulet në vendin e mbetur vakant pas kandidimit të ish-ministrit Ferdinand Xhaferraj, në garën për kreun e bashkisë së Durrësit, një garë e humbur nga Xhaferraj.
Ndryshimet e reja në qeverinë Berisha pritet të dekretohen sot nga Presidenti Topi, për shkak se ato duhet të miratohen më pas edhe në seancën e fundit plenare të Kuvendit për këtë sesion parlamentar, e cila është nesër, në 21 korrik.
Emrat e rinj të qeverisë Berisha i janë dërguar për dekretim Kreut të shtetit, dhe duhet të miratohen para mbylljes së këtij sesioni parlamentar, i cili nga e enjtja, nis punën pas pushimeve të verës, në muajin shtator.
mit/NOA