English

Haxhinasto-Wollfarth: Qeveria gati për dialogun dhe Kodin Zgjedhor

Tiranë, 20 korrik 2011, NOA- Zëvedëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto priti në një takim ambasadorin e OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth.

Në këtë takim ambasadori Wollfarth paraqiti deklaratën mbi Shqipërinë, të Kryetarit të radhës së OSBE, Ministrit të Jashtëm të Lituanisë Audronius Azubalis.

Pas marrjes së kësaj deklarate Haxhinasto përsëriti gatishmërinë e plotë të qeverisë shqiptare për t’u angazhuar në një proces institucional dialogu të ndërsjelltë me opozitën, për të avancuar më tej reformat në vend.

Sakaq ai theksoi se mazhoranca po bën përpjekjet maksimale për adresimin me prioritet të 12 rekomandimeve të Komisionit Evropian, të cilat bëjnë një përkufizim tërësor të reformave kyçe që duhet të zbatojë Shqipëria në rrugëtimin e saj evropian.

Kreu i diplomacisë shqiptare më tej vuri në dukje se integrimi evropian është një proces që kërkon domosdoshmërisht kontributin e të gjithë faktorëve politikë, jo vetëm për arritjen e standardeve më të larta evropiane, por edhe si një përgjegjësi kushtetuese dhe në interesin kombëtar të vendit.

Ministri gjithashtu vlerësoi angazhimin e OSBE-së, veçanërisht në përpjekjet për të nxitur dhe inkurajuar realizimin e një reforme zgjedhore institucionale në Shqipëri.

Ai ritheksoi se qeveria mbetet e hapur në thirrjen e saj të sinqertë për një bashkëveprim politik gjithëpërfshirës, ku mirëpritet kontributi i shoqërisë civile, si dhe me asistencën e çmuar të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias për një Kod të ri Zgjedhor, që përmbush rekomandimet e OSBE/ODIHR.

a.y/NOA

KOMENTE