Tiranë, 20 korrik 2011, NOA – Pas publikimit të deklaratave të pasurisë së zyrtarëve të lartë të shtetit, ku rezultoi se shumë prej të cilëve u janë pakësuar të ardhurat, dhe atyre në opozitë u janë rritur, Kreu i Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit të Pasurisë Adriatik Llalla deklaroi se zyrtarët e shtetit deklarojnë të dhëna informale për pasuritë e tyre.
Këtë deklaratë shefi i ILDKP-së e bëri përpara deputetëve të mazhorancës në Komisionin e Ligjeve gjatë paraqitjes së raportit të institucionit që drejton për vitin 2010.
Kryetari i ILDKP-së deklaroi se korrupsioni në administratën shtetërore ka vijuar edhe gjatë vitit të shkuar.
Zoti Llalla bëri me dije se gjatë vitit 2010 në ILDKP janë administruar 5302 deklarata pasurie si dhe janë kallëzuar penalisht shumë subjekte.
Shefi i ILDKP-së deklaroi se shumë nga rastet e kallëzuara janë pushuar nga Prokuroria.
Llalla evidentoi se organi i akuzës i ka pushuar disa raste pa argumente bindëse.
Kryeinspektori i ILDKP-së paraqiti raportin për vitin 2010, pak ditë pasi u zbardhën nëpër të përditshmet shqiptare pasuritë e deklaruara nga zyrtarët e lartë të shtetit dhe krerëve të politikës shqiptare.
Madje publikimi i pasurive nga ILDKP përkoi edhe me kërkesën e mbërritur pranë këtij institucioni, nga Partia Socialiste, ku opozita i kërkonte ILDKP-së deklaratat e pasurisë së gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor, të cilët u akuzuan si të blerë nga Partia Demokratike për të favorizuar kandidatin demokrat Lulzim Basha në betejën ligjore për bashkinë e Tiranës.
mit/NOA