Çështja e imunitetit nuk ka për qëllim ndëshkimin e Limajt, por është një operacion më i gjerë i “miqve ndërkombëtarë”, për të bërë një çarje strategjike në elitën politike kosovare, për zvogëlimin e ndikimit jo vetëm të politikanëve të brezit të luftës, por edhe të atyre të viteve ’90
Nga Shkëlzen Maliqi
Tani që është bërë sërish çështje e nxehtë rasti i Fatmir Limajt, të gjithë janë përqendruar në zbërthimin e imunitetit të tij dhe pakkush merret me esencën e çështjes, se a i ka Prokuroria në dorë dëshmitë e sigurta, apo edhe më tej hetimet i bazon vetëm në indiciet se Limaj ka bërë abuzime të ligjit. Që të hapen hetimet ndaj tij mbase edhe kanë mjaftuar dyshimet dhe deponimet e ndryshme për keqpërdorimet ose krimet e supozuara të Limajt. Nuk jam ai që mund të gjykoj për fajësinë dhe pafajësinë e tij, vetëm në bazë të supozimeve që janë bërë publike deri më sot. Mund të spekuloj vetëm se hetimet, që zgjasin më shumë se një vit, me gjasë nuk kanë dhënë rezultatet që i ka pritur hetuesia e Prokurorisë në fillim, përndryshe rasti nuk do të mbetej kaq gjatë pezull.
Në të vërtetë, kjo mund të thuhet për dyshimet për korrupsion, ndërkaq që ndërkohë, mbase për shkak të mungesës së provave mbi korrupsionin, Prokuroria i ka zgjeruar hetimet ndaj Limajt edhe për krimet e luftës, duke u përqendruar sidomos në hetimin e involvimit të tij në krimin e njohur të Kleçkës.
Ka mbase personalitete të larta me fuqi vendimmarrëse, që dinë shumë më tepër hollësi për rastin Limaj, edhe ndonjë tjetër dhe mbase në bazë të këtyre njohurive janë edhe të bindur se Limaj është fajtor dhe se duhet t’i hiqet imuniteti i deputetit. Ambasadori Dell është njëri prej këtyre që e ka shfaqur bindjen se Limajt duhet t’i hiqet gjithsesi imuniteti. Krejt në fillim të aferës, zotin Dell nuk e kanë penguar akuzat ndaj Limajt për të bashkëpunuar me të si ministër, që e ka nënshkruar kontratën me kompaninë amerikano-turke, e cila e ka marrë tenderin për ndërtimin e autostradës Morinë-Merdare. Por më vonë, pas zgjedhjeve, ai ka qenë njëri nga ata që e ka penguar Limajn që të rizgjedhet ministër, gjithnjë mbi bazat e dyshimeve se po hetohet për korrupsion. Kështu, Limaj njëfarëdore është ndëshkuar edhe pa zbardhjen e ndonjë prove të Prokurorisë, që do të vërtetonte përfshirjen e tij.
Ne si opinionistë, që po përpiqemi të jemi të pavarur në mendime dhe gjykime, jo një herë kemi dëshmuar se lufta kundër korrupsionit duhet të fillojë nga instancat më të larta, nga qeveritarët dhe drejtuesit e bizneseve që kanë bërë abuzimet më të mëdha me interesat publike. Ngandonjëherë edhe i kemi mbyllur sytë për akuzat e padëshmuara, duke supozuar se aty ku ka dyshime të bazuara për korrupsion, është e drejtë e atyre që kanë “informata shtesë” që këta të dyshuar të mos përfshihen më në struktura qeveritare. Për largimin e Limajt nga Qeveria nuk është bërë ndonjë zhurmë e madhe, është pritur që hetimet të përfundojnë me ndonjë akuzë konkrete. Por, kjo ka munguar.
Me gjasë, supozohet se në këtë rast drejtësia ka qenë e penguar, sepse disa dëshmitarë kyç i kanë tërhequr deponimet dhe deklarimet e mëhershme. Rasti më eklatant është ai i Blerim Kuçit, kryetarit aktual të Komunës së Suharekës, i cili madje u dënua me një muaj burgim, ngase refuzoi që të dëshmojë për rastin Kleçka, ku ka qenë njëri prej të torturuarve.
Lufta kundër korrupsionit, sigurisht, është një prioritet i madh për Kosovën, si shtet i njomë dhe i kapur nga interesat e ndryshme meskine të klaneve politike dhe ekonomike, jo vetëm vendore, por edhe ndërkombëtare. Dihet se korrupsioni i madh zakonisht bëhet me marifete dhe lojëra të fshehta, që ligji shpesh nuk mund t’i kapë. Hetimet, prandaj, shpesh dështojnë dhe kriminelët i ikin përgjegjësisë dhe ndëshkimit të merituar.
Në rastin Limaj, nëse nuk do të ketë prova serioze, nuk do të ketë as rast juridikisht të ndëshkueshëm. Ndërkaq, afera në çdo aspekt tregohet e politizuar. Madje, edhe nëse do t’i hiqet imuniteti Limajt për ta burgosur dhe gjykuar, sërish në fund të stories do të kemi atë testin e madh të Prokurorisë dhe hetuesisë së EULEX-it, ndërkaq që Limaj, si edhe pas gjykimit të mëhershëm nga Tribunali i Hagës, do mund të dalë sërish, për shkak të mungesës të provave, si një luftëtar dhe politikan i pafajshëm, madje hero. Por, kur e mendoj më thellë, nuk besoj se miku ynë, ambasadori Dell e bën këtë presion jo edhe aq demokratik rreth heqjes së imunitetit, vetëm për të kapërcyer pafuqinë e EULEX-it në mbledhjen e provave.
Çështja e imunitetit nuk ka për qëllim ndëshkimin e Limajt, por është një operacion më i gjerë i “miqve ndërkombëtarë”, për të bërë një çarje strategjike në elitën politike kosovare, për zvogëlimin e ndikimit jo vetëm të politikanëve të brezit të luftës, por edhe të atyre të viteve ’90. Presioni ndaj Limajt dhe Krasniqit çon në çarjen dhe dobësimin e PDK-së dhe kjo me gjasa do të ketë për pasojë që në zgjedhjet e ardhshme, sado që tani Hashim Thaçi duket si një përfitues, PDK mos jetë më subjekt i parë politik i Kosovës. Por, presioni ndaj Limajt, me gjasë, konsiderohet si fakt lehtësues për ndjekjen dhe ndëshkimin e protagonistëve të tjerë të korrupsionit që po hetohen dhe janë të partive tjera, sit ë LDK-së, AAK-së etj.
Kjo strategji konsiston në krijimin e hapësirës për promovimin dhe afirmimin e një brezi të ri liderësh, jo më meritokratë të rezistencës paqësore dhe të asaj të armatosur, por ekspertë të fushave dhe ekonomistë, që do të jenë shumë më të aftë në udhëheqjen e proceseve të integrimit të Kosovës në BE dhe NATO. Ky brez momentalisht edhe nuk shihet qartë, por do të depërtojë që nga zgjedhjet e ardhshme dhe më fuqimisht pas vitit 2015. /Express/