Tiranë, 20 Korrik 2011 NOA/ Irma Toptani– Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama i ka bërë sonte një “dush të ftohtë” Inspektoratit të Lartë për Deklarimin e Pasurive (ILDKP) dhe kreut të saj Adriatik Llalla i cili doli sot plot mllef ndaj organit të akuzës duke e akuzuar se shpërfill denoncimet e institucionit të tij për hetim pasurish të zyrtarëve shtetërorë.
Duke vlerësuar se vetëm disa “peshq të vegjël” janë çuar nga ILDKP për hetim në Prokurori, fare hapur, Ina Rama bën thirrje që hetimi të bëhet për drejtuesit e lartë të shtetit,l duke nënkuptuar kështu kabinetin qeveritar dhe institucione të tjera të rëndësishme>
“Prokuroria Shqiptare fton Inspektoratin e Deklarimit të Pasurive të fokusojë hetimin e tij administrativ drejt pasurive të zyrtarëve të nivelit të lartë të administratës publike duke plotësuar në këtë mënyrë një nga detyrat që opinioni i BE për Shqipërinë në marrjen e statusit të vendit kandidat, ka përcaktuar për institucionet shtetërore në vend. Në këtë mënyrë të gjitha institucionet shqiptare kanë shansin të demonstrojnë seriozisht vullnetin e përbashkët për të luftuar këtë fenomen në ushtrim të funksioneve ligjore respektive dhe duke mbajtur dhe përgjegjësitë përkatëse”, thuhet saktësisht në deklaratën e publikuar sonte.
Reagimi i Prokurores së Përgjithshme Ina Rama, erdhi sonte pas publikimit të deklaratave të pasurisë së zyrtarëve të lartë të shtetit për vitin 2010, si dhe pas deklaratës së Kryetarit të ILDKP-së lidhur me to në Komisionin e Ligjeve të Kuvendit të Shqipërisë.
“Dushi i ftohtë” i Ina Ramës vazhdon edhe me komentin tjetër të hidhur: “Përpjekjet për ta kaluar përgjegjësinë mbi institucione të tjerë nuk janë gjë tjetër veç devijim nga lufta kundër fenomenit shqetësues të korrupsionit në administratë. Vetëm nga bashkëpunimi konkret dhe duke patur për busull ligjin dhe Kushtetutën mund të arrihen rezultate të përbashkëta të suksesshme”.
Kurse në vijim të qëndrimit zyrtar, renditen edhe fakte e shifra që flasin për denoncime “të lodhura” të ILDKP:
“Nga 5302 deklarata pasurie të zyrtarëve të lartë që ka administruar Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë për vitin 2010, në Prokurorinë e Përgjithshme janë paraqitur gjithsej 18 kallëzime penale nga ILDKP. Nga këto kallëzime 6 kanë qene për kryetarë komunash, 2 për doganierë, 3 për ish doganierë, 1 ish deputet, 1 ish zëvendësministër, 2 punonjës nga drejtoria e Tatimeve, 1 punonjës nga Ministria e Transporteve, 1 regjistrues i Pasurive të Paluajtshme, 1 ish përmbarues”.
Në këtë pikë, Prokuroria e Përgjithshme sqaron se nga këto 18 raste të paraqitura, në 5 prej tyre është vendosur mosfillim i procedimit penal sepse, nuk ishin konsumuar masat administrative më parë nga vetë ILDKP, ( për rastet kur subjektet nuk kishin pranuar të deklaronin pasurinë e tyre), parakusht i domosdoshëm për ushtrimin e ndjekjes penale.
Kurse më tej, detajon: “Mbi këtë bazë janë regjistruar 13 procedime penale nga të cilat, 9 janë çuar për gjykim duke u ngritur akuzat ndaj zyrtareve të kallëzuar, 3 janë pushuar dhe 1 është ende nën hetim”.
Ndërsa duke iu rikthyer komenteve mbi deklaratat e Adriatik Llallës, Prokuroria e Përgjithshme shpreh :vendosmërinë e saj në luftën pa kompromis kundër fenomeneve të korrupsionit në administratën e lartë publike e shtetërore”.
Për më tepër, Prokuroria e Përgjithshme thekson edhe se “ashtu siç është e hapur me institucionet e tjera të zbatimit të ligjit në punën e saj, kërkon nga ana e saj edhe bashkëpunimin e këtyre institucioneve në denoncimin e këtyre fenomeneve shqetësuese si dhe në mbledhjen e paraqitjen e provave konkrete e profesionale ndaj këtyre rasteve”.
Në këtë kontekst Prokuroria Shqiptare deklaron se çdo material kallëzimi i paraqitur nga ILDKP është vlerësuar me seriozitet dhe ai ka marrë rrugën gjyqësore çdo herë që kanë ekzistuar elementet për të ngritur një akuzë penale ndaj subjekteve si dhe është pushuar ndjekja penale në ato raste kur këto elemente në kuptim të ligjit nuk kanë ekzistuar.
i.t/NOA