Prishtinë, 20 korrik 2011, NOA- Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga priti në një takim ish- Presidentin e Republikës së Kroacisë, Stjepan Mesiç.
Që në fillim të takimit Jahjaga falënderoi mysafirin për angazhimin e tij të vazhdueshëm, në të gjitha periudhat, për përkrahjen e Kosovës.
Në vijim ajo foli për synimet dhe sfidat e popullit dhe institucioneve të Kosovës në rrugën drejt integrimeve evropiane.
Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova ka nevojë për krijimin e marrëdhënieve kontraktuale me BE-në, gjë që do të ndihmonte përshpejtimin dhe thellimin e reformave në vend dhe do ta qartësonte rrugën evropiane të së Kosovës.
Sakaq ajo shtoi se, Kosova dhe të gjithë miqtë dhe përkrahësit e saj duhet të kenë angazhim të vazhdueshëm në drejtim të lobimit për njohje të reja për vendin.
Ndërsa Mesiç garantoi se nga ana e tij do të jepet mbështetja maksimale për Kosovën si dhe theksoi nevojën e bashkëpunimit të vendeve të rajonit, duke ndihmuar kështu njëri-tjetrin në proceset e rëndësishme që ato kanë përpara.
a.y/NOA