English

Koçi: Thirrja e BE për reformë kushtetuese, detyrë shtëpie për çdo udhëheqës

Tiranë, 20 korrik 2011, NOA- Kryetari i PSV ‘91 Petro Koçi nëpërmjet një reagimi për mediat ka përshëndetur qëndrimin e fundit të Bashkimit Europian për reformë kushtetuese.

“Ne mendojmë se kjo është çështja prioritare me të cilën duhet të merret politika shqiptare. Sigurisht që reforma kushtetuese duhet të shoqërohet nga reforma zgjedhore dhe reforma të tjera, por nëse duam të garantojmë ndryshimin europian të Shqipërisë duhet të rifillojmë nga Kushtetuta”, thuhet në qëndrimin e Koçit.

Më tej ai shton se vendi ka nevojë për një qeveri kushtetueshmërisht më të kontrollueshme, një president më të pavarur nga presionet e maxhorancave, një parlament që përfaqëson më drejtpërdrejt vullnetin e zgjedhësve, një gjyqësor që nuk i trembet qeverive dhe në përgjithësi një sistem me pushtete të balancuara e të ndër kontrolluara.

Sipas kreut të PSV ‘91, ky qëndrim i fundit i BE duhet të kthehet në detyrë shtëpie për çdo parti politike dhe udhëheqës politik, duke shtuar se edhe kryeministri duhet ti bindet më në fund vullnetit europian të partnerëve.

PSV rithekson se koinçidimi i këtij qëndrimi me kthesën e Partisë Socialiste ndaj Kushtetutës dëshmon se opozita po merr timonin e drejtimit të Reformave themelore në vend.

Në përfundim Koçi shprehet se, nga ana tjetër projekti i koalicionit për ndryshimin e Kushtetutës është një ftesë për progresistët e pakompromentuar të LSI duke apeluar që ata ti bashkohen këtij qëndrimi të ri në politikën e së majtës.

a.y/NOA

KOMENTE