English

Korçë, digjet kati i tretë i pallatit, shkak një qiri i ndezur

Korçë, 20 korrik 2011, NOA – Digjet plotësisht kati i tretë i një pallati në lagjen nr. 6, pranë rrugës “Miço Shkodrani” në qytetin e Korçës, duke lënë në qiell të hapur katër familje që banonin aty.

Zjarri ra rreth orës 21:45 të së martës në katin e tretë të pallatit nr.10 në rrugën “Miço Shkodrani”.

Policia bën me dije se zjarri dogji tërësisht çatinë e pallatit 3-katësh, e cila nuk kishte përbërje betoni, por ishte ndërtuar me tjegulla dhe kockë.

Zjarri ka djegur edhe katër hyrjet e banimit dhe orenditë e tyre.

Nga rënia zjarrit janë dëmtuar shtetasit Bashkim Haxhi 61 vjeç; Mihal Parizi 52 vjeç; Nikolin Pano 32 vjeç dhe Bajram Zyberi 54 vjeç.

Nga hetimet rezultoi se fillimisht zjarri ka rënë në katin e tretë të pallatit, në banesën e Bajram Zyberit.

Sipas policisë nga pamundësia e kushteve ekonomike për energji elektrike, Bajram Zyberi me ardhjen e natës rreth orës 19:40 ka ndezur një qiri e më pas e ka zënë gjumi.

Por, pasi është zgjuar pas dy orësh ai ka parë se disa rroba në dhomën e ndenjies kishin marrë flakë, dhe më pas nuk ka mundur dot t’i shuajë e ato janë përhapur edhe tek apartamentet e tjerë.

Bajram Zyberi i shpëtoi djegies i ndihmuar nga banorët aty pranë.

Ai pësoi djegie të lehta në trup.

Pas hetimit të ngjarjes policia arrestoi Bajram Zyberin për veprën penale të shkatërrimit të pronës nga pakujdesia.

mit/NOA

KOMENTE