Prishtinë, 20 korrik 2011 NOA - Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunaçek, u ka sugjeruar deputetëve të Kuvendit të Kosovës që kanë problem me ligjin, që të japin dorëheqje për t’i mundësuar drejtësisë të kryejë punën e saj. Këto komente, Lunaçek i bëri gjatë një konference për media të organizuar në përmbyllje të vizitës së saj tri ditore në Kosovë. Çështja e imunitetit të deputetëve nën hetime është bërë tashmë tema dhe interesimi kryesor në diskutimet e zyrtarëve evropian dhe atyre të institucioneve të Kosovës. Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunaçek, i ka këshilluar deputetët kosovarë që janë nën hetime të mos fshihen prapa imunitetit por të japin dorëheqje. Ajo ka thënë do të jepte dorëheqje si euro-parlamentare në rast se do të zhvilloheshin hetime ndaj saj. Askush nuk është mbi ligjin dhe nuk është i paprekshëm, ka thënë Lunaçek. “Mendoj se kjo e dëmton imazhin e parlamentit dhe qytetarëve, sepse ne si ligjvënës jemi ata që prezantojmë qytetarët”, ka thënë Lunaçek. Në interesimin e gazetarëve se a bëhet fjalë për dorëheqjen e Fatmir Limajt, Lunaçek ka thënë: “Do të ishte gjëja më e lehtë. Por, nëse kjo nuk ndodhë, atëherë duhet të qartësohet çështja e imunitetit”. Lunacek ka theksuar se ia ka bërë me dije edhe kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, se duhet të qartësohet çështja e imunitetit. Shefi i EULEX-it ka përsëritur edhe të martën se pret nga Kuvendi i Kosovës ta qartësojë çështjen e imunitetit, përderisa kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi ka deklaruar se imuniteti është shumë i qartë dhe ata që nuk e kanë këtë qartësi i ka sugjeruar të shkojnë për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.
a.q/NOA