English

Letra e plotë e Ramës për baroneshën Eshton e Komisionerin Fyle

Tiranë, 20 Korrik 2011 NOA/ Albana Qehajaj – Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama i drejtohet me një letër zonjës Catherine Ashton, Zëvendës Presidente e Komisionit Europian dhe Përfaqësuese e Lartë e BE për Politikën e Jashtme si dhe z. Stefan Fule, Komisioner për Zgjerimin dhe Politiken e Fqinjësisë.

Përmes letrës, z.Rama në emër të partisë më të madhe të opozitës që drejton, mbështet “pa asnjë rezervë nismën e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Europës për të pyetur Komisionin e Venecias lidhur me mënyrën se si Shqipëria mund të shmangë situata të ngjashme me atë që fatkeqësisht ndodhi në zgjedhjet e turpshme të Tiranës”.

Më poshtë agjencia NOA publikon letrën e plotë të z.Rama:

Partia Socialiste e Shqipërisë Partia Socialiste e Shqipërisë Kabineti i Kryetarit Tiranë, 20 Korrik 2011 Catherine Ashton Zëvendës Presidente e Komisionit Europian dhe Përfaqësuese e Lartë e BE për Politikën e Jashtme Stefan Fule Komisioner për Zgjerimin dhe Politiken e Fqinjësisë E nderuar Baronesha Ashton dhe I nderuar Komisioner Fule, Lejomëni përsëpari t'Ju shpreh mirënjohjen time për gjithshka keni bërë për të ndihmuar Shqipërinë në rrugën e Integrimit Europian dhe për përfshiijen Tuaj bujare e të pandërprerë në përpjekjen e vështirë të kapërcimit të krizës politike në Shqipëri, e cila e ka gjenezën në zgjedhjet e deformuara të 28 Qershorit 2009. Për fat të keq, zgjedhjet vendore të 8 Majit 2011 e përkeqësuan më tej situatën politike. Ato nxorën në pah mosfunksionimin e Administratës së Lartë Zgjedhore dhe të vetë Shtetit të së Drejtës, si edhe rrezikuan shumë seriozisht një shans tjetër për vendin tonë në rrugën e vështirë të Demokratizimit e të Integrimit Europian. Në emër të Opozitës Shqiptare, dëshiroj t'ju falënderoj sot shumë sinqerisht për vëmendjen e posaçme me të cilën ju i ndoqët këto zgjedhje të fundit në Shqipëri dhe veçanërisht për shprehjen e qartë publike të shqetësimit për zhvillimin aspak normal të proçesit zgjedhor në Tiranë. Ne jemi të bindur se e vërteta e hidhur e këtij proçesi pa standarde, ku fitorja e opozitës u grabit ditën për diell dhe administrata zgjedhore, KQZ-ja e Kolegji Zgjedhor, manifestuan brutalisht mungesën e Rendit Ligjor në Shqipëri, duhet adresuar pa ekuivok jo për të ndryshuar tanimë rezultatin e gënjeshtërt të Tiranës, i cili njësoj si në 2009, u vulos nga një gjykatë zgjedhore aspak e pavarur, po për të hapur rrugën e një dialogu serioz dhe ndërtuar qasjen e duhur ndaj të ardhmes. Pikërisht në emër të së ardhmes unë ndaj me ju, pikë për pikë, gjithë sa shkruhet në deklaratën tuaj të përbashkët. Ne presim me besim të plotë të lexojmë Konstatimet dhe Rekomandimet e Raportit Final të OSBE/ODHIR-it. Po ashtu mbështesim pa asnjë rezervë nismën e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Europës për të pyetur Komisionin e Venecias lidhur me mënyrën se si Shqipëria mund të shmangë situata të ngjashme me atë që fatkeqësisht ndodhi në zgjedhjet e turpshme të Tiranës. Faleminderit edhe për nxitjen e kësaj nisme. Përfitoj nga rasti t'ju siguroj se Opozita Shqiptare do ta luajë rolin që sot i dikton sfida e Integrimit Europian të Shqipërisë me vetëdijen e urgjencës së nënvizuar prej jush lidhur me reformat esenciale që i duhen vendit në aspektin Kushtetues, Zgjedhor e Institucional, përfshirë edhe një Reformë të thellë Parlamentare. Duke Ju siguruar se tek Opozita Shqiptare do të gjeni vijimësisht një përfaqësues të denjë të aspiratës europiane të popullit shqiptar dhe duke ju garantuar po ashtu se 12 prioritetet e përcaktuara prej Komisionit Europian janë edhe prioritete të axhendës sonë, lejomëni t'ju shpreh konsideratat e mia më të larta për punën Tuaj fisnike. Edi Rama Kryetar Sinqerisht juaji

KOMENTE