English

Minatorët vijojnë protestën para kryeministrisë

Tiranë, 20 korrik 2011, NOA – Minatorët e Bulqizës kanë kaluar natën e dytë nën qiell të hapur në lulishten pranë kryeministrisë, në pritje të një takimi me kryeministrin Berisha.

Ata kanë mbërritur në ditën e dytë të protestës para godinës së qeverisë, por në të 18-ën ditë të protestës së tyre ndaj kompanisë koncensionare austriake ACR.

Mbrëmë minatorët e akomoduar pranë lulishtes në bulevard janë takuar edhe me deputetin e zonës Sherefedin Shehu, të cilit i kanë bërë të ditur kërkesat e tyre.

Protesta e minatorëve të Bulqizës nuk ka shënuar asnjë rezultat deri më tani.

Ata i kërkojnë kompanisë ACR rritjen e pagave me 20 përqind, sigurimin e kushteve të punës, përmirësimin e tyre, uljen e moshës së pensionit, moslejimin e firmave të tjera të shfrytëzojnë minierat pa koncesion, kërkesa ende të paplotësuara.

Minatorët u shprehën se nuk do t’i ndalin protestat deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

Ata i kërkuan mbështetje kryeministrit Sali Berisha si dhe ndërhyrjen e tij në këtë çështje.

Të martën, një përfaqësues ligjor i kompanisë ACR Giga Bedineishvill, pas konferencës për shtyp lidhur me çështjen, i shpëtoi një incidenti me minatorët e irrituar.

Përfaqësuesi i ACR u premtoi minatorëve se kompania është gati të ulet në tavolinë me ta për të diskutuar rritjen e pagave, porse kërkoi që në këtë tryezë të mos përfshihen krerët e konfederatës së sindikatave dhe ata të sindikatës së minatorëve, fakt ky që duket se i ka irrituar minatorët.

Protesta e minatorëve do të vazhdojë edhe sot në përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje.

mit/NOA

KOMENTE