English

Operacioni i rrallë, hiqet nga këmba tumori 15 kg

Tiranë, 20 korrik 2011 NOA - Ekipi i mjekëve të Spitalit Onkologjik në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka kryer një operacion të rrallë. Një masë tumorale prej 15 kg është hequr nga këmba e Adrian Bankollarit. Një operacion i zgjatur për më shumë se 6 orë, ka kërkuar vëmendjen më të madhe të Drejtorisë së QSUT-së, e cila ka bërë të mundur blerjen e medikamenteve shtesë për këtë person, por edhe për sigurimin e gjakut. Gjatë ndërhyrjes kirurgjikale, pacientit i është nevojitur një sasi prej 4 litrash. Gjatë fjalës së tij mjeku kirurg, Agim Karaj tha se është bërë një nga ndërhyrjet më të rënda të realizuara në vend.

“Ndërhyrja është realizuar nga barku, duke prerë enët e gjakut për të hequr gjithë pjesën tumorale qe ndodhej në këmbe dhe në pjesën e legenit. Aktualisht gjendja është e mirë, pasi tumorri nuk ka një formë agresive malinje, pa metastaza. Ne shpresojmë që gjendja e tij të përmirësohet dhe mund të ketë një mbijetesë si gjithë të tjerët”, ka sqaruar mjeku Karaj.

Nga ana tjetër drejtori i QSUT-së, Saimir Ivziku ka pohuar se ndërhyrja e kryer është e një lloji të veçantë. “Ky operacion për pacientin është kryer falas, kurse kostoja ka shkuar deri në 13 mijë euro. Përsa i përket rasteve me tumorre mund të them se kemi një rritje të tyre nga viti në vit, por e rëndësishme është që të behet diagnostikimi i plotë i sëmundjes” ka pohuar Ivziku.

Adrian Bankollari, 62 vjeç është shtruar në 26 qershor në ambientet e onkologjikut, në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa po vijon trajtimin përfundimtar të terapisë.

a.q/NOA

KOMENTE
  • piperka21:19 - 20 Korrik 2011
    Urime mjeksise tone.sherim te shpejte dhe pacjentit.ESHTE NJE MREKULLI.
  • Alba Haruni came17:49 - 20 Korrik 2011
    Kjo eshte nje arritje e madhe per shendetesine tone.Kur duan dhe kur kane mundesi ,mjeket tane bejne mrekullira.Ju lumshin duart dhe sherim sa me te shpejte pacientit.