English

Parisi: Zgjidhja për Geddafin, dalja përfundimisht nga skena politike

Paris, 20 korrik 2011, NOA- Muamar Geddaf mund të rrijë në Libi por duke dalë përfundimisht nga skena politike.

Kjo deklaratë vjen nga ministria e Jashtme Franceze dhe nga kreu i saj Alain Juppe, i cili ka theksuar se ky është një kusht i domosdoshëm për një pushim zjarri.

“Pushimi i zjarrit është një apel i pastër për Geddafin të cilit i kërkohet të heqë dorë nga përgjegjësia e tij civile dhe ushtarake”, deklaroi kreu i diplomacisë franceze.

“Një nga hipotezat që ai të rrijë në Libi, është një kusht, që të lërë përfundimisht jetën politike në vendin e tij. Është vetëm kjo ajo që presim prej tij në mënyrë që të ndalojmë zjarrin”, u shpreh Juppe.

Ndërsa një kërkesë nga përkrahësit e kolonelit në vendin e tij është që ai të mos i dorëzohet Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Ndërkaq vetëm dy ditë më parë Muamar Geddaf u shpreh se nuk do lëshoj pe përballë vendeve të NATO-s dhe se populli do të rimarrë kontrollin e vendit nga rebelët.

“Miliona libianë janë në krahun tim, jemi në shtëpinë tonë dhe do luftojmë deri në pikën e fundit të gjakut për të mbrojtur nderin tonë, naftën tonë dhe pasurinë tonë”, është shprehur kolonel Geddafi.

a.y/NOA

KOMENTE