Tiranë, 20 korrik 2011, NOA- Edhe pas vendimit të Ministrisë së Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës për pezullimin pjesërisht të kontratës me kompaninë ACR, minatorët shprehen të vendosur për të vazhduar protestën.
Kreu i konfederatës së sindikatave Kol Nikolla reagoi lidhur me këtë vendim duke e konsideruar vendimin e METE-s jo zi zgjidhje.
Ai deklaroi se protesta vijon deri në plotësimin e kërkesave të minatorëve si rritja e pagës, ulja e moshës së pensionit dhe përmirësimi i kushteve të sigurisë në miniera.
Më herët ministria e Energjetikës anuloi një pjesë të kontratës konçensionare me kompaninë austriake ACR, për shfrytëzimin e minierës së kromit në Bulqizë.
METE ka vendosur të anulojë zbatimin e kontratës për zonën minerare D në Bulqizë, ndërsa shpall të pavlefshme të gjitha marrëveshjet nënkontraktore.
Pezullimi është dhënë deri në momentin e plotësimit të mangësive të konstatuara nga AKBN dhe RISHMI, për sigurinë në punë dhe kushtet e shfrytëzimit.
a.y/NOA