Tiranë, 20 korrik 2011, NOA- Prokuroria e Përgjithshme vetëm pak më parë ka bërë me dije se pas publikimit të deklaratave të pasurisë së zyrtarëve të lartë të shtetit për vitin 2010, janë paraqitur 18 kallëzime penale nga ILDKP.
Ky sqarim vjen krahas deklarimit të pasurisë edhe pas deklaratës së Kryetarit të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive në Komisionin e Ligjeve.
“Nga 5302 deklarata pasurie të zyrtarëve të lartë që ka administruar Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë për vitin 2010, në Prokurorinë e Përgjithshme janë paraqitur gjithsej 18 kallëzime penale nga ILDKP. Nga këto kallëzime 6 kanë qene për kryetarë komunash, 2 për doganierë, 3 për ish doganierë, 1 ish deputet, 1 ish zëvendës ministër, 2 punonjës nga drejtoria e Tatimeve, 1 punonjës nga Ministria e Transporteve, 1 regjistrues i Pasurive të Paluajtshme, 1 ish përmbarues”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Sakaq theksohet se nga këto 18 raste të paraqitura, në 5 prej tyre është vendosur mosfillim i procedimit penal sepse, nuk ishin konsumuar masat administrative më parë nga vetë ILDKP, ( për rastet kur subjektet nuk kishin pranuar të deklaronin pasurinë e tyre), parakusht i domosdoshëm për ushtrimin e ndjekjes penale.
Më tej sqaron Prokuroria mbi këtë bazë janë regjistruar 13 procedime penale nga të cilat, 9 janë çuar për gjykim duke u ngritur akuzat ndaj zyrtareve te kallzuar, 3 janë pushuar dhe 1 është ende nën hetim.
Prokuroria e Përgjithshme me këtë rast ka shprehur vendosmërinë e saj në luftën pa kompromis kundër fenomeneve të korrupsionit në administratën e lartë publike e shtetërore.
Prokuroria e Përgjithshme ashtu siç është e hapur me institucionet e tjera të zbatimit të ligjit në punën e saj, kërkon nga ana e saj edhe bashkëpunimin e këtyre institucioneve në denoncimin e këtyre fenomeneve shqetësuese si dhe në mbledhjen e paraqitjen e provave konkrete e profesionale ndaj këtyre rasteve.
Në këtë kontekst Prokuroria Shqiptare deklaron se çdo material kallzimi i paraqitur nga ILDKP është vlerësuar me seriozitet dhe ai ka marrë rrugën gjyqësore çdo herë që kanë ekzistuar elementet për të ngritur një akuzë penale ndaj subjekteve si dhe është pushuar ndjekja penale në ato raste kur këto elemente në kuptim të ligjit nuk kanë ekzistuar.
Duke garantuar publikun për vendosmërinë e saj në luftën kundër korrupsionit si një nga fenomenet më negative të shoqërisë shqiptare, Prokuroria Shqiptare ka ftuar Inspektoriatin e Deklarimit të Pasurive të fokusojë hetimin e tij administrativ drejt pasurive të zyrtarëve të nivelit të lartë të administratës publike duke plotësuar në këtë mënyrë një nga detyrat që opinioni i BE për Shqipërinë në marrjen e statusit të vendit kandidat, ka përcaktuar për institucionet shtetërore në vend.
Ndër të tjera Prokuroria e Përgjithshme veçon faktin se në këtë mënyrë të gjitha institucionet shqiptare kanë shansin të demonstrojnë seriozisht vullnetin e përbashkët për të luftuar këtë fenomen në ushtrim të funksioneve ligjore respektive dhe duke mbajtur dhe përgjegjësitë përkatëse.
Në vijim në qëndrimin e Prokurorisë thuhet se përpjekjet për ta kaluar përgjegjësinë mbi institucione të tjerë nuk është tjerë veç devijim nga lufta kundër fenomenit shqetësues të korrupsionit në administratë, duke shtuar se vetëm nga bashkëpunimi konkret dhe duke patur për busull ligjin dhe Kushtetutën mund të arrihen rezultate të përbashkëta të suksesshme.
a.y/NOA