Tiranë, 20 Korrik 2011 NOA/ Albana Qehajaj – Për herë të parë është publikuar sot i plotë, vendimi i Qeverisë për të kryer këtë vjeshtë, regjistrimin e shtyrë disa herë të popullsisë së Republikës së Shqipërisë.
Vendimi u lajmërua nga mbledhja e sotme e Këshillit të Ministrave, ku kryeministri Sali Berisha sulmoi dhe kritikoi ashpër ata që i quajti ateistë kritizerë, duke nënkuptuar sidomos nënkryetarin aktual të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, njëherësh protagonist i asaj që njihet së Aleanca KuqeZi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
Më poshtë agjencia NOA publikon të plotë vendimin që ka interes të gjerë për cilindo nga ne për të parë se si do të kryhet regjistrimi i popullsisë në vend.
Vendim për ngritjen, përbërjen dhe detyrat e komisioneve të censusit të popullsisë dhe të banesave në qark
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 14, të ligjit nr.8669, datë 26.10. 2000, “Për regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë dhe të banesave”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Ngritja dhe përbërja e Komisionit të Censusit të Popullsisë dhe të Banesave në Qark
1. Ngritjen e komisioneve të censusit të popullsisë dhe të banesave në çdo qark, për organizimin dhe realizimin e censusit të popullsisë dhe të banesave brenda territorit të çdo qarku.
2. Komisioni i Censusit të Popullsisë dhe të Banesave në Qark kryesohet nga kryetari i Këshillit të Qarkut dhe ka në përbërje:
- Prefektin nënkryetar;
- Përgjegjësin e zyrës së INSTAT-it në rrethin
qendër qarku nënkryetar;
- Drejtorin e Drejtorisë Rajonale të Arsimit, në qark, anëtar;
- Drejtorin e Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë dhe
Ushqimit, në qark anëtar;
- Drejtorin e Drejtorisë së Policisë së Qarkut anëtar.
II. Detyrat e Komisionit të Censusit të Popullsisë dhe të Banesave në Qark
1. Në zbatim të udhëzimeve të INSTAT-it, Komisioni i Censusit të Popullsisë dhe të Banesave në Qark ushtron detyrat e mëposhtme:
a) Organizon punën e vet përgatitore dhe udhëzon veprimtaritë përgatitore e zbatuese të zyrave të censusit në bashki dhe komuna, të cilat janë pjesë e juridiksionit të qarkut të tyre;
b) Miraton programin e vet të punës, për fazën përgatitore dhe fazën përfundimtare, dhe ndjek nëpërmjet inspektimit këtë proces në zyrat e censusit në bashkitë dhe komunat, të cilat janë pjesë e juridiksionit të qarkut të tyre;
c) Ndjek dhe monitoron procesin e përzgjedhjes e të rekrutimit, si dhe miraton listën e kontrollorëve, të paraqitur nga komisioni ad-hoc i vlerësimit, i ngritur nga INSTAT-i në qark, në përputhje me procedurat dhe standardet e përcaktuara nga ky institucion;
ç) Ndjek, nëpërmjet informacioneve, raporteve periodike dhe inspektimeve, procesin e trajnimit të kontrollorëve të qarkut, që kryhet nga ekspertët dhe personeli tjetër, të angazhuar nga INSTAT-i;
d) Organizon dhënien e asistencës teknike, nëpërmjet ekspertëve të INSTAT-it dhe profesionistëve të tjerë, për zyrat e censusit në bashki dhe komuna, që janë në juridiksionin e qarkut, në përputhje me vlerësimet në terren dhe nevojat e paraqitura prej tyre;
dh) Kryen inspektime periodike në zyrat e censusit në bashkitë dhe komunat të cilat janë në juridiksionin e qarkut, për ecurinë e punës së tyre dhe plotësimin e standardeve të përcaktuara nga legjislacioni dhe metodologjitë e udhëzimet e INSTAT-it, për censusin e përgjithshëm të popullsisë dhe të banesave;
e) Raporton gjatë periudhës përgatitore, një herë në javë në INSTAT, për ecurinë e procesit të përgatitjes së censusit të përgjithshëm të popullsisë dhe të banesave;
ë) Raporton çdo ditë në INSTAT, gjatë periudhës së censusit për ecurinë e procesit të censusit të përgjithshëm të popullsisë dhe të banesave;
f) Organizon dhe bashkërendon punën me zyrën rajonale të INSTAT-it , autoritetet e tjera pjesëmarrëse në këtë proces, në nivel qarku, si dhe me zyrat e censusit në bashkitë dhe komunat që janë në juridiksionin e qarkut për marrjen në dorëzim, magazinimin e pyetësorëve dhe materialeve të tjera shoqëruese, të nevojshme, në mënyrë të sigurt dhe për aq kohë sa është e nevojshme, si dhe transportimin e tyre në mënyrë të sigurt në zyrat e censusit në bashki dhe komuna, për realizimin e procesit të censusit në bashki dhe komuna;
a) Organizon, mbështet dhe bashkërendon punën për realizimin e procesit të grumbullimit dhe të dorëzimit, në afatin e përcaktuar nga INSTAT-i, të materialeve të censusit nga zyrat e censusit në bashkitë dhe komunat që janë në juridiksionin e qarkut.
b) Vlerëson gjatë fazës përgatitore dhe gjatë periudhës së censusit nëse janë përmbushur detyrimet nga kryetari i bashkisë/komunës, njëkohësisht për realizimin e detyrave të përcaktuara në aktet nënligjore për zyrat e censusit të popullsisë dhe banesave në bashki e komuna.
2. Komisioni i Censusit të Popullsisë dhe të Banesave në Qark e ushtron veprimtarinë e tij nga data 15.8.2011 deri në 15.11.2011.
III. Detyrimet metodologjike
1. Komisioni i Censusit të Popullsisë dhe të Banesave në Qark është i detyruar të zbatojë udhëzimet që nxjerr INSTAT-i për:
detyrat e personelit që angazhohet për kryerjen e censusit në terren;
b) ndjekjen e zbatimin e veprimtarisë së censusit të popullsisë dhe të banesave nga komisionet e censusit, në nivel qarku;
ngritjen e strukturave rajonale të censusit për mbështetjen e procesit të censusit në terren.
IV. Organizimi dhe funksionimi i mbledhjeve të Komisionit të Censusit të Popullsisë dhe të Banesave në Qark.
1. Mbledhjet e Komisionit të Censusit të Popullsisë dhe të Banesave në Qark thirren nga kryetari dhe, në mungesë apo pamundësi të tij, nga nënkryetari i komisionit, prefekti i qarkut.
2. Në mbledhjen e Komisionit të Censusit të Popullsisë dhe të Banesave në Qark marrin pjesë vetëm anëtarët e tij. Kryetari i Komisionit të Censusit të Popullsisë dhe të Banesave në Qark, në varësi të çështjeve të parashikuara në rendin e ditës, mund të ftojë të marrin pjesë në mbledhjet e komisionit edhe:
a) specialistë të strukturave të autoriteteve shtetërore, në nivel qarku apo vendor, të cilat nuk përfaqësohen në Komisionin e Censusit të Popullsisë dhe të Banesave në Qark në njësinë ku funksionon Komisioni;
b) ekspertë apo personel tjetër, të angazhuar nga INSTAT-i në procesin e censusit të përgjithshëm të popullsisë dhe banesave.
3. Mbledhja e Komisionit të Censusit të Popullsisë dhe të Banesave në Qark drejtohet nga kryetari dhe, në mungesë apo pamundësi të tij, nga nënkryetari i Komisionit, prefekti i qarkut, dhe, në mungesë të këtij të fundit, nga nënkryetari tjetër, si dhe është e vlefshme kur janë të pranishëm më shumë se gjysma e anëtarëve të Komisionit.
4. Mbledhjet si rregull organizohen çdo muaj, me përjashtim të rasteve kur problematika apo çështje të caktuara sjellin nevojën e organizimit të më shumë se një mbledhjeje në muaj.
5. Kryetari i Komisionit të Censusit të Popullsisë dhe të Banesave në Qark, bashkëlidhur njoftimit për mbledhje, u paraqet anëtarëve të Komisionit:
a) rendin e ditës së mbledhjes;
b) dokumentacionin për çështjet të cilat do të paraqiten për shqyrtim në mbledhjen e Komisionit.
6. Njoftimi për mbledhje dhe rendi i ditës nënshkruhen nga kryetari i Komisionit të Censusit të Popullsisë dhe të Banesave në Qark, dhe në mungesë të tij nga nënkryetari i tij, prefekti.
7. Rendi i ditës së bashku me dokumentacionin e çështjeve, të cilat do të paraqiten për shqyrtim, i propozohet kryetarit, në mungesë të tij nënkryetarit të Komisionit të Censusit të Popullsisë dhe të Banesave në Qark, prefektit,nga zyra e INSTAT-it në rrethin qendër të qarkut.
8. Kryetari dhe, në mungesë të tij, nënkryetari i Komisionit të Censusit të Popullsisë dhe të Banesave në Qark, prefekti, pasi shqyrton propozimin për rend dite dhe dokumentacionin e paraqitur, vendos datën e mbledhjes sëKomisionit, e cila, në asnjë rast, nuk mund të jetë më vonë se tre ditë nga dita e paraqitjes së kërkesës nga zyra e INSTAT-it në rrethin qendër të qarkut.
9. Komisioni i Censusit të Popullsisë dhe të Banesave në Qark, për çështje të veçanta, mund të krijojë grupe pune, të cilat bëjnë vlerësime, vërejtje dhe rekomandime për çështje të cilat janë në kompetencën e tyre, sipas detyrave të përcaktuara në pikën 1, të kreut II, të këtij vendimi.
10. Vendimet në Komisionin e Censusit të Popullsisë dhe të Banesave në Qark merren me shumicën e votave të anëtarëve të pranishëm në mbledhje. Në rast se votat janë të barabarta, vota e kryesuesit të mbledhjes vendos.
11. Vendimet, si dhe çështjet e tjera të shqyrtuara e të miratuara në mbledhjen e Komisionit të Censusit të Popullsisë dhe të Banesave në Qark, nënshkruhen nga kryesuesi i mbledhjes së Komisionit.
12. Gjatë mbledhjes së Komisionit të Censusit të Popullsisë dhe të Banesave në Qark mbahet procesverbal, i cili miratohet në mbledhjen e ardhshme të Komisionit.
13. Sekretariati i Komisionit të Censusit të Popullsisë dhe të Banesave në Qark përbëhet nga punonjës të Këshillit të Qarkut dhe të zyrës së INSTAT-it në rrethin qendër të qarkut, të cilët miratohet nga Komisioni, dhe ka për detyrë:
a) të verifikojë ekzistencën e numrit të mjaftueshëm të anëtarëve për zhvillimin e mbledhjes;
b) të organizojë punën sipas orientimeve të kryetarit të Komisionit të Censusit të Popullsisë dhe të Banesave në Qark për përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm dhe për shqyrtimin e çështjeve të përcaktuara në rendin e ditës së mbledhjes së Komisionit;
c) të bashkëpunojë me autoritetet shtetërore, në nivel qarku dhe vendor, për përgatitjen e materialeve të rendit të ditës që Komisioni i Censusit të Popullsisë dhe të Banesave në Qark do të marrë në shqyrtim;
ç) të dërgojë materialet e përgatitura për mbledhjen e radhës te secili anëtar i Komisionit të Censusit të Popullsise dhe të Banesave në Qark jo më vonë se 3 (tre) ditë përpara mbledhjes;
d) të mbajë dhe të zbardhë procesverbalet e mbledhjeve;
dh) të ndjekë procesin e nënshkrimit të vendimeve të marra në mbledhjen paraardhëse të Komisionit të Censusit të Popullsisë dhe të Banesave në Qark.
V. Dispozita të Përgjithshme
1. Masa e shpërblimit të anëtarëve të Komisioni të Censusit të Popullsisë dhe të Banesave në Qark, për periudhën e funksionimit të tij, është 5 000 (pesë mijë) lekë në muaj. Mënyra e pagesës përcaktohet me udhëzim të veçantë të INSTAT-it.
2. Vendimi nr.728, datë 28.12.2000, i Këshillit të Ministrave, “Për ngritjen, përbërjen dhe detyrat e komisioneve të regjistrimit të popullsisë dhe të banesave në qarqe (prefektura)”, shfuqizohet.
3. Ngarkohen Komisioni Qendror i Censusit dhe komisionet e censusit të popullsisë dhe të banesave në çdo qark, zyrat e censusit në bashki dhe komuna, si dhe INSTAT-i për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA