English

Rrush e kumbulla

Për Republikën e Rrush e Kumbullave, hajnat e peshqirëve dhe super çantat e lap-topëve

Nga Imer Mushkolaj

Kryeministri polak Donald Tusk e ka pranuar këshillën e disa kuzhinierëve të vendit të tij, që gjatë Presidencës polake të Bashkimit Evropian, mysafirëve mos t’iu shërbehen biskota, por pemë dhe perime të freskëta vendore. Mysafiren e parë, kancelaren e Gjermanisë Angela Merkel, ai e qerasi me dredhëza. Në këtë mënyrë, Polonia synon të promovojë prodhimet vendore. As që mund të mendojmë se kryeministrit, presidentes e kryeparlamentarit të Kosovës mund t’i shkrep në mendje ndonjë ide e tillë. Por, edhe nuk është se kemi fort prodhime vendore, me të cilat mund të mburremi. Madje, edhe ato që i kemi jo që nuk favorizohen, por shpesh nënçmohen nga pushtetarët. Ta zëmë, kryeministri u paraqit në media duke konsumuar ujë importi. Mesazh aspak shpresëdhënës për prodhuesit vendorë. Nëse jo dredhëzat, atëherë dy lloje pemësh do të mund të gjendeshin fare lehtë në menynë institucionale për mysafirët: rrushi dhe kumbullat. Jo vetëm pse kanë vlera ushqyese, por se janë sinonim edhe për tjetërçka…

* * *

Dikush e ka hobi që nga hotelet, në të cilat i bie të kalojë të paktën një natë, të marrë ndonjë “shenjë” për kujtim. Sapunët dhe shkrepëset me logon e hotelit janë gjërat më të pëlqyera. Por, rrallëkujt i vjen ndërmend t’i vjedh peshqirët që i gjen në dhomë. E zyrtarëve komunalë të Gjilanit jo vetëm që iu erdhi ndërmend, por pa pikë marre i morën peshqirët në një hotelDurrës dhe i futën në çanta. I vodhën! Personeli i hotelit i ndali dhe ua kapi plaçkën. A ka ma marre se njerëzit, të cilët na qeverisin dhe për të cilët shpresojmë se po përpiqen të bëjnë diç të mirë për ne, të zihen duke vjedhur peshqirë? A don të thotë kjo se në këtë vend, hajnia tashmë është kthyer në kulturë jetese për zyrtarë shtetërorë të çfarëdo niveli? Paramendoni çfarë janë në gjendje të bëjnë, kur vjedhin edhe peshqirët në hotel!

* * *

Ekzistojnë forma të ndryshme se si mund të shpenzohen 700 euro. Ta zëmë, me to mund t’iu paguhen për një muaj pensionet e mjera 15 pensionistëve. Mund të ndihmohen me nga 100 euro shtatë familje që mezi mbushin barkun bukë. Mund të jepen 14 bursa për studentët fukarenj. Por, po ashtu, me to mund të blihen dy çanta për lap-topë! Ministria e Ekonomisë dhe Financave ka zgjedhur mundësinë e fundit. Auditori ka gjetur se dy çanta lap-topi janë paguar rrafsh 700 euro. Natyrisht, ato nuk kushtojnë kaq, por dikush i ka futur paratë në xhep. Të mos flasim për biletat e aeroplanit me çmime marramendëse prej 3000 e kusur eurosh për person, që zyrtarë të po kësaj ministrie i kanë paguar për të udhëtuar atje ku kanë dashur. Menaxhim buxheti, e jo mahi. Kur vidhet në këso “cikërrimash”, vetëm mund të mendohet çfarë “masakre” ndodh në tenderë milionësh. Kështu shpenzohen paratë e qytetarëve të varfër, të vendit më të varfër në Europë. Të vendit, në të cilin të varfër nuk janë vetëm ata që i udhëheqin varfanjakët. Ata që shtojnë pasuri marramendshëm, ata që vjedhin kah të sillen, ata që ***ërdhejnë taksat tona. Duke i bërë rrush e kumbulla!

* * *

Rrushi dhe kumbullat do të dukeshin për mrekulli në stema komunash. Pse të mos dekorohen me to edhe logot e Qeverisë, ministrive dhe institucioneve tjera? Në këtë mënyrë do të përligjej ideali për të cilin jetojnë, punojnë e “sakrifikojnë” njerëzit që na udhëheqin, ata që na kanë udhëhequr e të tjerë që pretendojnë të bëjnë një gjë të tillë. Rroftë Republika e Rrush e Kumbullave! /Express/

KOMENTE