English

Sezoni veror, ndalohet asgjesimi i municioneve në Jub-Sukth

Sukth, 20 korrik, NOA – Nisja e sezonit veror ka bërë që të merren masat jo vetëm nga Ministria e Turizmit, por edhe nga dikateret e tjera, për të krijuar kushte sa më të mira. Për këtë qëllim, Ministria e Mbrjtjes ka ndërprerë prej disa kohësh demontimin e municioneve në pologonin që ndodhet në Jub–Sukth në afërsi të Durrësit.

Zëvendësministri i Mbrojtjes, Ekrem Spahiu, inspektoi poligonin Jub-Sukth, nga ku deklaroi se që prej muajit prill është ndëprerë asgjesimi i armatimeve, vetëm për të krijuar kushte të nevojshme për pushuesit.

Ai tha se poligoni Jub-Sukth do të jetë në funksion të komunitetit dhe se nuk paraqet asnjë rrezik për ta. “Ky poligon ka asgjësuar municione të tepërta prej vitesh, por që nga muaji prill i kemi ndërprerë asgjësimet në këtë poligon dhe po vazhdojmë pastrimin dhe rehabilitimin e plotë të kësaj zone. Duke u nisur se qeveria shqiptare ka shpallur prioritet kryesor turizmin dhe duke parë se stoku i municioneve të tepërta po bie, dhe duke marrë në konsideratë kërkesat e banorëve të kësaj komune për të shfrytëzuar plazhin e Jub-Sukthit, ne sot vijmë për të inspektuar pikërisht pastrimin e këtij poligoni”, tha Spahiu.

Ai shtoi se qeveria e SHBA-së, me Fondin Ndërkombëtarë të Besimit, me zyrat e PNUD-it në Tiranë po bashkëpunojmë për të filluar edhe një pastrim më të plotë deri në certifikimin e plotë të këtij poligoni. Nga ana tjetër Spahiu ka kërkuar edhe bashkëpunimin e banorëve. Ai u shpreh se gjatë kohës së shfrytëzimit të zonës nga qytetarët në stinën e verës, por edhe në vazhdimësi nëse gjejnë ose konstatojnë mbetje të elementëve të municioneve, janë të lutur të mos i prekin por të njoftojnë menjëherë policinë dhe Forcat e Armatosura.

Ndërkohë nga ana tjetër, Gjeneral Xhemal Gjunkshi gjatë fjalës së tij u shpreh se gjithë procesi i demontimit duhet të përfundojë në vitin 2013. “Ne kemi besim se misioni ynë do të përfundojë me sukses në afatin e përcaktuar nga qeveria shqiptare dhe Ministria e Mbrojtjes, duke patur në qendër të kujdesit tonë, jetën e njerëzve që marrin pjesë në këtë mision, por edhe të banorëve të zonave ku ne kemi ngritur poligonet. Në përfundim të të gjithë procesit të asgjësimit, ne siç kemi bërë me poligonin e Jub-Sukthit, do ta shndërrojmë atë në një vend të sigurt, të certifikuar dhe në gjendje për t’u shfrytëzuar nga banorët e zonës”, nënvizoi Gjeneral Gjunkshi.

Poligoni i Jub-Sukthit ndodhet në territorin e Komunës së Jubës, rreth 15 km larg nga qyteti i Durrësit. Ky poligon është në administrim të Forcave të Armatosura dhe është përzgjedhur si një ndër poligonet kombëtare për stërvitje dhe qitje luftarake. Në mbështetje të objektivit të qeverisë për turizmin, reduktimit të sasisë së municioneve që kanë mbetur për asgjësim me demontim, Ministria e Mbrojtjes ka miratuar mos përdorimin e këtij poligoni në të ardhmen për asgjësime municioni.

NOA

KOMENTE