English

Trysnia me imunitet

Nga Albin Kurti

EULEX-i dhe zyrtarë të ndryshëm ndërkombëtarë në Kosovë e kanë shtuar trysninë mbi Kuvendin e Kosovës sepse ai mbase iu duket institucioni më i padisiplinuar te ne, ndryshe prej Qeverisë së Kosovës, policisë, prokurorisë dhe gjyqësisë kosovare, si dhe ndryshe prej medieve publike në Kosovë.

Maja Koçijançiç, zëdhënëse e shefes për Siguri dhe Politikë të Jashtme të BE-së, Baroneshës Catherine Ashton, ka deklaruar që BE-ja e përkrah plotësisht EULEX-in lidhur me kërkesat drejtuar Kuvendit të Kosovës për sqarimin e çështjes së imunitetit të deputetëve. Ajo ka theksuar që medoemos duhet të sqarohet se ku fillon dhe ku mbaron imuniteti i deputetëve të Kosovës.

Misioni i EULEX-it në Kosovë bazohet në Veprimin e Përbashkët të Këshillit të BE-së 5928/08, të datës 4 shkurt 2008. Me datën 16 shkurt 2008, pra vetëm një ditë para se të shpallet pavarësia e Kosovës, ky dokument u pat publikuar në gazetën zyrtare të BE-së. Kësisoj, EULEX-i i cili as sot nuk e njeh pavarësinë e Kosovës ishte inauguruar 24 orë para se të shpallet pavarësia e Kosovës. Gjithsesi, tepër e rëndësishme kjo gjë për të qenë krejtësisht e rastësishme.

Sipas këtij dokumenti themeltar, EULEX-i fitoi fuqi ekzekutive në Kosovë të cilat janë të pakufizuara si në kohëzgjatjen e tyre po ashtu edhe në spektrin e tyre. Neni 3.b thotë që EULEX-i do të ‘kujdeset për mbajtjen dhe promovimin e sundimit të ligjit, rendit publik dhe sigurisë, përfshirë këtu përmes prapakthimit apo anulimit të vendimeve operacionale të marra nga autoritetet kompetente të Kosovës, siç është nevoja dhe pas konsultimit me autoritetet relevante civile ndërkombëtare në Kosovë.’ Ndërkaq, neni 3.h thotë që EULEX-i ka të drejtë të “marrë mbi vete përgjegjësi tjera, pavarësisht apo në përkrahje të autoriteteve kompetente të Kosovës, për të siguruar mbajtjen dhe promovimin e sundimit të ligjit, rendit publik dhe sigurisë, pas konsultimit me agjencitë relevante të Këshillit”. Në të dy rastet EULEX-i ndodhet mbi institucionet e Kosovës të cilave nuk u jep llogari ndërkohë që ka të drejtë të veprojë në mënyrë të njëanshme mbi to. Siç e shpjegojnë nenet e mësipërme, edhe nëse EULEX-i do të konsultohej para përdorimit të fuqive ekzekutive, ky konsultim s’do të bëhej me institucionet vendore të Kosovës por vetëm me ato ndërkombëtare.

Atëherë, pse EULEX-i kërkon ndihmën e Kuvendit të Kosovës që çështja e imunitetit të deputetëve të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese para se EULEX-i të ndërmarrë çfarëdo veprimi ndaj deputetëve të caktuar? EULEX-i do të mund t’i përdorte fuqitë e tij ekzekutive dhe kësisoj me shpejtësi do të mbaronte punë, apo jo? Për më tepër, dihet që Qeveria dhe Presidenti i Kosovës nga koha e shpalljes së pavarësisë e patën ftuar dhe mirëpritur EULEX-in duke e bërë qenien dhe funksionimin e tij në Kosovë një çështje legale. Pse atëherë EULEX-i ngurron e heziton kaq shumë të veprojë në përputhje me kompetencat e të drejtat që ia ka përcaktuar vetes? Cili është kuptimi i posedimit të gjithë këtij pushteti përderisa ai s’para shfrytëzohet?

Duket se EULEX-i insiston që të mos duket ashtu siç është dhe të duket ashtu siç nuk është. EULEX-i dhe Brukseli janë së tepërmi të preokupuar me imazhin e EULEX-it. Nga 22 misione të Politikës Evropiane të Sigurisë dhe Mbrojtjes të shpërndara në tri kontinente, EULEX-i është misioni më i madh i tillë. Madhësia dhe pesha e EULEX-it nuk e bëjnë atë më të fuqishëm, por, përkundrazi, më të brishtë. EULEX-i preferon që t’i përmbushë objektivat e tij pa i përdorur fuqitë ekzekutive që ka, ose, më saktë, të kërcënojë me to por të mos i ushtrojë ato. Pra, EULEX-i dëshiron që të veprojë duke mos vepruar. Nëse do të vepronte duke vepruar, atëherë do të demaskohej si regjim policor. EULEX-i i do rezultatet e veprimit pa veprimin.

Duke qenë shumë i vetëdijshëm për qenien e vet të padrejtë në Kosovë, EULEX-i është shumë i kujdesshëm për dukjen e funksionimit të tij. EULEX-i dëshiron që Kuvendi i Kosovës dhe Gjykata Kushtetuese të shërbejnë si legjitimitet paraprak për ndërmarrjet e mëvonshme të EULEX-it.

EULEX-i më shumë ka hall se kush do të fajësohet për arrestimet e deputetëve sesa nëse njëmend do të arrestojë deputetë fajtorë. Për më tepër, këto arrestime duket që do të jenë më parë e më shumë për çështjen e krimeve të luftës që nuk njihet si e tillë sesa për korrupsionin e nivelit të lartë. Thjesht, EULEX-i ka vlerësuar që për dallim nga të ashtuquajturat krime të luftës ku politikanët ish luftëtarë të UÇK-së mund të trajtohen e mbahen edhe ndaras nga njëri-tjetri, kur vjen puna te korrupsioni i peshqve të mëdhenj disi bëhet e pamundur të arrestohen vetëm një a dy prej tyre pa e tërhequr ata edhe kryepeshkun me vete.

Së fundi, problemi tjetër madhor me kërkesën e EULEX-it sigurisht se është vetë tema e imunitetit. Dihet që të gjithë të punësuarit e EULEX-it, përfshirë familjet e tyre, kanë imunitet diplomatik në Kosovë të njëjtë me atë që gëzohet sipas Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike (Neni 4.6 (a,b,c) Aneksi IX). Kësisoj, EULEX-i i cili për vete ka imunitet nga ndjekja penale në Kosovë kërkon heqjen e imunitetit për deputetët e caktuar të Kuvendit të Kosovës. A nuk do të duhej që EULEX-i me shembullin e vet të printe? A nuk do të duhej që EULEX-i para se të insistojë në heqjen e imunitetit për deputetët të mos insistojë në imunitetin për veten e tij? A nuk do të duhej që EULEX-i ta dëshmojë sinqeritetin dhe seriozitetin duke hequr dorë vetë ai nga imuniteti që gëzon? Kushtetuta dhe ligji në Kosovë janë fort të qarta dhe pa kundërthënie mbi atë se ku fillon e mbaron imuniteti i deputetit në Kosovë. Ajo që s’ka fund në Kosovë janë pikërisht fuqitë ekzekutive dhe imuniteti i EULEX-it.

KOMENTE