Tiranë, 20 korrik 2011, NOA- Në mbledhjen e sotme të qeverisë u morr vendim për bursat që do të përfitojnë studentët dhe nxënësit në shkollat dhe universitetet publike. Agjencia e lajmeve NOA zbardh kategoritë e përfituesve dhe ata që nuk e gëzojnë këtë të drejtë. Në këtë vendim të marrë sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave renditen kategoritë e studentëve dhe nxënësve që përfitojnë bursë ku veçohen ata me rezultate të shkëlqyera si dhe sipas kriterit ekonomik, jetimët dhe disa kategori të tjera.
Në vendim theksohet gjithashtu se afati përfundimtar për shqyrtimin dhe miratimin e bursave, për vitet e para, është data 15 dhjetor 2011, për të gjitha kategoritë e shkollave, ndërsa për vitin e dytë e lart është data 15 nëntor 2011.
Veçohet edhe fakti se bursat e nxënësve, për vitin e dytë e lart, rishqyrtohen dhe miratohen, çdo vit, nga këshilli i bashkisë dhe i komunës, sipas vendndodhjes territoriale dhe administrative të konvikteve ku janë vendosur nxënësit konviktorë.
Më poshtë vendimi i plotë i miratuar sot në mbledhjen e qeverisë.
V E N D I M
PËR
KUOTAT FINANCIARE TË USHQIMIT NË MENSA E KONVIKTE, BURSAT E SHTETIT DHE PAGESAT E NXËNËSVE E TË STUDENTËVE, NË INSTITUCIONET ARSIMORE PUBLIKE, PËR VITIN SHKOLLOR 2011-2012
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 1 e 5, të ligjit nr.10289, datë 17.6.2010, “Për mënyrën e trajtimit ekonomik e financiar dhe për dhënie ndihme të menjëhershme familjeve të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të Policisë së Burgjeve, që humbin jetën në krye apo për shkak të detyrës”, të nenit 63, të ligjit nr.7952, datë 21.6.1995, “Për sistemin arsimor parauniversitar”, të ndryshuar, të nenit 29, të ligjit nr.8872, datë 29.3.2002, “Për arsimim dhe formim profesional në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të nenit 57, të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr.7889, datë 14.12.1994, “Për statusin e invalidit”, të ndryshuar, të ligjit nr.8153, datë 31.10.1996, “Për statusin e jetimit”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.10355, datë 2.12.2010, “Për buxhetin e vitit 2011”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Nxënësit që ndjekin studimet në institucionet arsimore publike dhe studentët që ndjekin një program studimi të ciklit të parë, me kohë të plotë, në institucionet arsimore publike, mund të përfitojnë bursë dhe përfitime të tjera, të parashikuara në këtë vendim, nga buxheti vjetor i miratuar për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.
2. Përfitojnë bursë nxënësit dhe studentët, brenda kuotave e kritereve të përcaktuara për sa vijon me këtë vendim:
2.1. Sipas kriterit ekonomik (nxënës/studentë):
a) Nxënësit/studentët, që vazhdojnë studimet larg vendbanimit të tyre në largësinë mbi 5 km dhe plotësojnë kriterin ekonomik, sipas pasqyrës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
b) Nxënësit që banojnë në fshat, të cilët nuk kanë shkollë 9-vjeçare brenda rrezes prej 5 km e që vendosen në konvikt public;
c) Nxënësit/studentët, që kanë përfituar statusin e jetimit dhe që plotësojnë kriterin ekonomik;
ç) Nxënësit/studentët të cilët kanë humbur kujdestarinë prindërore me vendim gjykate të formës së prerë dhe që plotësojnë kriterin ekonomik;
d) Secili nga studentët bashkëshort me fëmijë, që plotëson kriterin ekonomik dhe që vendoset në konvikt publik;
dh) Fëmijët, nxënës apo studentë, që kanë statusin e invalidit, paraplegjikut dhe tetraplegjikut dhe që plotësojnë kriterin ekonomik.
2.2 Sipas rezultateve të arritura (nxënës/studentë):
a) Nxënësit e arsimit të mesëm profesional që kanë mbaruar vitin shkollor pararendës me të gjitha notat 10 (dhjeta);
b) Nxënësit të cilët vazhdojnë studimet në shkollat profesionale, në degët bujqësore, veterinare, pyjore dhe ndërtim, në vitet e dyta e lart, dhe që kanë mbaruar vitin akademik pararendës me notën mesatare mbi 8 (tetë);
c) Studentët që regjistrohen në vitin e parë të shkollës së lartë, që kanë mbaruar shkollën e mesme me medalje ari;
ç) Studentët që regjistrohen në vitin e parë të shkollës së lartë, që janë shpallur nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës më të mirët e Maturës Shtetërore, sipas renditjes në listën e vlerësimit. Për vitin akademik 2011-2012, numri i tyre do të jetë 25 (njëzet e pesë) studentë. Kjo kategori studentësh përfiton bursë kur ata vazhdojnë studimet në institucionet e arsimit të lartë publik dhe vetëm për vitin akademik 2011-2012;
d) Studentët që kanë mbaruar vitin akademik pararendës me të gjitha notat 10 (dhjeta);
dh) Studentët që vazhdojnë studimet në programin e studimit “Matematikë” dhe në programin e studimit “Fizikë”, në vitin e dytë e lart, dhe kanë mbaruar vitin akademik pararendës me notën mesatare mbi 8 (tetë).
2.3 Jashtë kriterit ekonomik (nxënës/studentë):
a) Nxënës apo studentë, fëmijë të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të Policisë së Burgjeve, që kanë humbur jetën në krye dhe për shkak të detyrës. Në fillim të çdo viti akademik Ministria e Brendshme, Shërbimi Informativ Shtetëror, Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Mbrojtjes dërgojnë në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës listën për këtë kategori nxënësish/studentësh.
b) Nxënësit që vijnë nga zonat verilindore dhe juglindore të vendit (Tropoja, Hasi, Puka, Kukësi, Dibra, Bulqiza, Mati, Mirdita, Malësia e Madhe, Librazhdi, Gramshi, Kolonja, Përmeti, Pogradeci, Skrapari, Tepelena dhe rrethi Tiranë), të cilët regjistrohen dhe ndjekin studimet në vitin e parë shkollor 2011-2012, në shkollat e mesme profesionale.
2.4 Sipas degëve prioritare për zhvillimin e ekonomisë (nxënës):
Nxënësit që regjistrohen dhe ndjekin studimet në vitin e parë shkollor 2011-2012, në shkollat profesionale, në degët bujqësore, veterinare, pyjore, ndërtim dhe teknologji informacioni.
3. Nxënësit dhe studentët e të gjitha kategorive të mësipërme nuk përfitojnë bursë ose e humbasin të drejtën e përfitimit të bursës, kur
a) janë ndarë nga trungu familjar;
b) familjet e tyre ushtrojnë veprimtari private;
c) vazhdojnë studimet në një program të dytë studimi;
ç) shpallen ngelës dhe humbasin vitin shkollor për arsye të rezultateve jokaluese.
4. Ministria e Arsimit dhe Shkencës harton planin e shpërndarjes së bursave, për drejtoritë arsimore rajonale (DAR-të) dhe zyrat arsimore (ZA-të), për vitet e para, sipas kuotave të miratuara (për nxënës/studentë). DAR/ZA-të, pas këshillimit me njësitë e pushtetit vendor, hartojnë planin e shpërndarjes së bursave dhe e dërgojnë në njësitë e pushtetit vendor (bashki/komunë), në përshtatje me kërkesat e paraqitura paraprakisht prej tyre për kategoritë e përcaktuara sipas pikës 2.1, të këtij vendimi.
5. Bashkitë dhe komunat, bazuar në planin e përcaktuar për to nga DAR/ZA-të, vendosin, me këshillat e tyre, për dhënien e bursave, sipas kritereve të përcaktuara në pikat 2.1, 2.2, 2.3 dhe 2.4, të këtij vendimi, duke u dhënë përparësi nxënësve dhe studentëve nga shtresat sociale në nevojë, për trajtimin me bursë të plotë ose, në pamundësi, trajtimin me gjysmë burse.
5.1 Bashkitë dhe komunat, detyrimisht, duhet t'u dërgojnë, në rrugë zyrtare, drejtorive arsimore rajonale apo zyrave arsimore përkatëse, vendimet për dhënien e bursave, të shoqëruara me dokumentacionin përkatës.
5.2 Drejtoritë arsimore rajonale dhe zyrat arsimore duhet të dërgojnë pranë institucioneve të arsimit të lartë dhe bashkive/komunave, që menaxhojnë konviktet, listën emërore të studentëve dhe të nxënësve bursistë, së bashku me vendimet origjinale të këshillave të bashkive dhe të këshillave të komunave. Një kopje e listës emërore të studentëve dhe nxënësve të trajtuar me bursë dërgohet edhe në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.
5.3 Plani i bursave për nxënësit që regjistrohen dhe vazhdojnë studimet në vitin e parë shkollor 2011-2012, në shkollat profesionale, në degët bujqësore, veterinare, pyjore, ndërtim dhe teknologji informacioni jepet nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), për bashkinë dhe komunën përkatëse, sipas vendndodhjes territoriale dhe administrative të konvikteve ku janë vendosur nxënësit, sipas numrit të nxënësve të regjistruar në këto degë. Drejtoria Arsimore Rajonale dhe Zyra Arsimore menjëherë, me mbarimin e regjistrimit në këto degë, dërgojnë informacion, në MASH, për numrin e nxënësve të regjistruar në këto degë.
6. Bursat e nxënësve, për vitin e dytë e lart, rishqyrtohen dhe miratohen, çdo vit, nga këshilli i bashkisë dhe i komunës, sipas vendndodhjes territoriale dhe administrative të konvikteve ku janë vendosur nxënësit konviktorë. Drejtoritë arsimore rajonale, paraqesin/dërgojnë zyrtarisht, në njësitë vendore, kërkesat për miratim burse për nxënësit që përfitojnë bursë sipas shkronjave “a”, “b” e “c” të pikës 2.2, të këtij vendimi.
6.1. Nxënësit që vitin e parë kanë përfituar bursë, me vendim të këshillit të bashkisë apo komunës ku ata kanë vendbanimin e përhershëm, e marrin këtë bursë deri në përfundim të viteve të shkollimit, nëse atyre nuk u ndryshojnë kriteret ekonomike dhe nuk rezultojnë mbetës.
7. Bursat e studentëve, për vitin e dytë e lart, rishqyrtohen dhe miratohen, çdo vit, nga institucionet publike të arsimit të lartë. Studentët e vitit të dytë e lart, që nuk kanë përfituar bursë dhe plotësojnë kriterin ekonomik, mund të përfitojnë bursë brenda numrit të planit të bursave, të përcaktuara sipas këtij vendimi.
7.1. Numri i bursave për këtë kategori studentësh dhe për studentët që përfitojnë burse, sipas pikës 2.2, është deri në 150 (njëqind e pesëdhjetë) në shkallë vendi, brenda numrit të përgjithshëm të bursave të dhëna për vitin akademik 2011-2012. Institucionet publike të arsimit të lartë paraqesin në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës kërkesat për studentët që përfitojnë bursë sipas shkronjave “ç”, “d” e “dh” të pikës 2.2, të këtij vendimi.
7.2. Ministria e Arsimit dhe Shkencës harton planin e shpërndarjes dhe e dërgon për ekzekutim në institucionet publike të arsimit të lartë. Studentët që vitin e parë kanë përfituar bursë, me vendim të këshillit të bashkisë apo komunës ku kanë vendbanimin e përhershëm, e marrin këtë bursë deri në përfundim të viteve të shkollimit, nëse atyre nuk u ndryshojnë kriteret ekonomike dhe nuk rezultojnë mbetës.
7.3. Nxënësit e klasës së 12-të shkollës së mesme “Nazmi Rushiti”, Dibër dhe nxënësit e klasës së 12-të shkollës së mesme “Havzi Nela”, Kukës, të cilët transferojnë programet e nivelit të dytë në shkollat e mesme profesionale Shkodër, pra nga njësitë vendore Bashkia Peshkopi dhe Bashkia Kukës në njësinë vendore Bashkia Shkodër, njëkohësisht transferojnë zyrtarisht në Bashkinë Shkodër, numrin e bursave (listën e nxënësve), që kanë përfituar bursë për vitin shkollor 2010-2011.
7.4. Për nxënësit e tjerë, që plotësojnë kriteret ekonomike dhe kriterin e largësisë nga vendbanimi, sipas pikës 2.1 “Sipas kriterit ekonomik”, kërkesat e tyre shqyrtohen dhe ata trajtohen me bursë nga njësitë e qeverisjes vendore.
8. Nga plani i bursave të miratuara për vitin akademik 2011-2012, Bashkisë së Tiranës i jepen 15 (pesëmbëdhjetë) bursa për studentët që vijnë nga familjet/shtresat sociale në nevojë dhe janë invalidë, paraplegjikë e tetraplegjikë, pavarësisht nga kriteri i studimit larg vendbanimit, ndërsa bashkive të tjera, të cilat në vendndodhjen e tyre territoriale kanë institucione të arsimit të lartë publik, u jepen deri në 5 (pesë) bursa, për këtë kategori studentësh.
9. Nxënësit dhe studentët që kanë përfituar statusin e jetimit, nxënësit e Institutit të Fëmijëve që nuk Dëgjojnë dhe të Institutit të Fëmijëve që nuk Shikojnë përfitojnë falas veshmbathje, libra dhe fletore, sipas pasqyrës nr.6, që i bashkëlidhet këtij vendimi. Nxënësit e Institutit të Fëmijëve që nuk Dëgjojnë dhe të Institutit të Fëmijëve që nuk Shikojnë përjashtohen nga detyrimet e tarifave të shërbimeve të ndryshme, që ofrojnë shkollat.
9.1 Nxënësve dhe studentëve që kanë përfituar statusin e jetimit u sigurohen falas, nga fondet e shkollave përkatëse, shërbimi shëndetësor, shërbimi dentar dhe medikamentet, pas paraqitjes së librezës dhe të kartës shëndetësore, si dhe të epikrizës, nga qendra spitalore e rrethit.
9.2 Nxënësit jetimë që vazhdojnë shkollat e mesme a të larta për periudhën e pushimeve verore trajtohen me pagesë suplementare, që përcaktohet nga Këshilli i Ministrave, si dhe vetëm një vit kur humbasin vitin shkollor për arsye të rezultateve jokaluese, nga njësitë e qeverisjes vendore, sipas vendndodhjes territoriale.
9.3 Fëmijët dhe mësuesit e institucioneve të arsimit special, pa konvikt, trajtohen falas nga shteti me një vakt ushqim (drekë), me vlerë deri në 150 (njëqind e pesëdhjetë) lekë në ditë.
10. Fondet buxhetore për mbulimin e shpenzimeve për bursat, si dhe numri i bursave për studentët administrohen nga institucionet publike të arsimit të lartë. Bursat paguhen çdo muaj me kalim në numrin e llogarisë bankare të çdo studenti.
10.1. Fondet buxhetore për mbulimin e shpenzimeve për bursat, si dhe numri i bursave për nxënësit administrohen nga bashkia e komuna, sipas vendndodhjes territoriale dhe administrative të konvikteve ku janë vendosur nxënësit konviktorë. Masa mujore e bursës u jepet nxënësve në formën e kuotës ushqimore, në konvikt.
10.2. Nxënësve, të cilët nuk janë vendosur/akomoduar në konvikt, për mungesë kapacitetesh, bursa u paguhet çdo muaj nga bashkia/komuna, në llogarinë bankare të nxënësit/prindit përfitues, pranë bankave të nivelit të dytë apo në zyrat e Postës Shqiptare. Drejtorët e shkollave profesionale e socialkulturore dërgojnë, çdo muaj, pranë njësive të qeverisjes vendore, informacion për frekuentimin e shkollës për nxënësit që përfitojnë bursë.
11. Niveli i bursës, për nxënësit dhe studentët, jepet sipas pasqyrave nr.2 e nr.3 dhe kuota financiare ushqimore ditore jepet sipas pasqyrave nr.4 e nr.5, që i bashkëlidhen këtij vendimi. Drejtuesit e fakulteteve dërgojnë zyrtarisht, çdo muaj, pranë njësive/departamentit të financës, frekuentimin e shkollës për studentët që përfitojnë bursë.
12. Ministria e Arsimit dhe Shkencës, për vitin e ri akademik 2011-2012, të japë 1 650 (një mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë) bursa për nxënësit dhe 1 900 (një mijë e nëntëqind) bursa për studentët, për hyrjet e reja në vitin e parë në sistemin arsimor publik, për të gjitha kategoritë e parashikuara në pikën 2 të këtij vendimi.
13. Efektet financiare për vitin akademik 2011-2012 të përballohen nga fondet e buxhetit të shtetit, miratuar për Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës për vitin 2011, për pjesën e vitit 2011, si dhe nga fondet e buxhetit të shtetit që do të miratohet për vitin 2012, për pjesën e vitit 2012.
14. Afati përfundimtar për shqyrtimin dhe miratimin e bursave, për vitet e para, është data 15 dhjetor 2011, për të gjitha kategoritë e shkollave, ndërsa për vitin e dytë e lart është data 15 nëntor 2011.
15. Ministri i Arsimit dhe Shkencës, për raste të veçanta, kur vendimet e këshillave të njësive të qeverisjes vendore dërgohen jashtë afatit të përcaktuar në këtë vendim, ka të drejtë të shqyrtojë dhe të rivendosë në afat përfitimin e bursës për nxënësin/studentin.
16. Vendimet e njësive të qeverisjes vendore dhe ato të institucioneve publike të arsimit të lartë publikohen për komunitetin, median dhe institucionet e tjera vendore apo qendrore.
17. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Shkencës, DAR/ZA-të, institucionet publike të arsimit të lartë dhe njësitë e qeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
a.y/NOA