English

Wikileaks-i dhe marrëdhëniet ndërshqiptare

Nga Mentor Nazarko Pak ditë më parë, mediat e hapësirës shqiptare botuan një informacion të Wikileaks-it, në lidhje me marrëdhëniet e zyrtarëve të lartë të Shqipërisë dhe Kosovës. Informacioni i Ambasadës amerikane në Prishtinë përcillte një shqetësim të kryeministrit Hashim Thaçi për përfshirjen e kryeministrit Sali Berisha në politikën kosovare. Ky shqetësim i ishte përcjellë zëvendësambasadorit amerikan, të cilit i kërkohej dhe që të ndërhynte tek zoti Berisha, për ta frenuar në këtë aktivizëm të tij përtej kufirit. Komentet rreth këtij lajmi për të thënë të vërtetën, nuk u morën me atë që ishte thelbi i asaj ngjarjeje. Ato as nuk e kontekstualizuan drejt atë. Madje, nëse mund të përkufizoje në mënyrë përmbledhëse reagimin e opinionit publik të Kosovës, duhet thënë se përgjithësisht ai u dominua nga heshtja për raportin. Këtu bën përjashtim një shkrim i zotit Albin Kurti, i cili e stigmatizonte kryeministrin Thaçi, duke thënë se “ai nuk i ankohet Amerikës për ndërhyrjen serbe, por për ndërhyrjen e Shqipërisë”. Ndërkohë në Shqipëri, ky lajm kaloi thuajse pa vëmendje, domethënë pa komente publike. Ndërkaq, në përpjekje për të neutralizuar vlerën aktuale të këtij informacioni të vjetër, dy kryeministrat nxorën njoftim se u takuan diku në Kroaci dhe hëngrën darkë bashkë, megjithëse nuk jam i sigurt nëse u dhanë pamje të kësaj darke. Por për ta kuptuar ngjarjen të cilën e risolli në skenë Wikileaks-i, le ta sqarojmë kontekstin e saj. Vera e 2009-s ishte verë zgjedhjesh parlamentare në Shqipëri, ndërsa në Kosovë në dimrin e atij viti ishin zgjedhjet lokale. Në funksion të atyre zgjedhjeve, rreth rrugës Durrës-Kukës, më saktë tunelit të saj, u organizuan dy ceremoni, në të cilat ishte ftuar zoti Thaçi. Në të parën, për shpimin përfundimtar të tunelit, ai mori pjesë. Në të dytën, më afër zgjedhjeve, me gjithë pjesëmarrjen e kryeministrit turk Erdogan, zoti Thaçi, ndoshta i ndjerë i përdorur për fushatën elektorale të PD-së, mungoi me një pretekst të fortë. Mbase kjo mungesë ka përcaktuar një lloj zemërimi të homologut të tij të Shqipërisë: në verën e 2009-s, menjëherë pasi doli fitues nga zgjedhjet e kundërshtuara nga opozita, zoti Berisha pati kohë të injoronte Thaçin dhe të hidhte sytë diku tjetër… Në zyrën e kryeministrisë ai priti kreun e AAK-së, Haradinaj, asokohe rival kryesor i zotit Thaçi. Pa asnjë skrupull për institucionin shtetëror ku nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi partiak, Berisha shtrëngoi duart si aleat i djathtë me Haradinajn. Dhe njoftimi i shtypit atë ditë vinte nga zyra e Kryeministrisë, megjithëse i referohej marrëveshjes si marrëveshje midis dy partive. Është pikërisht ky episod që ka përcaktuar shqetësimin e Thaçit dhe komunikimin e këtij zemërimi tek partnerët amerikanë. A kishte të drejtë zoti Thaçi në shqetësimin e vet? Për më shumë që zoti Berisha po atë vit vizitoi Kosovën, ku për hir të së vërtetës i respektoi të gjithë faktorët politikë. Shqetësimi i atëhershëm i Thaçit nuk është shqetësimi ynë. Ai është diçka tjetër: A ka luajtur dhe luan rol pozitiv Shqipëria zyrtare, në Kosovë, në Maqedoni apo gjetkë ku banojnë shqiptarët? Roli i Shqipërisë Janë thellësisht të njohura disa stereotipa të sjelljes së Tiranës zyrtare në hapësirën shqiptare. Perëndimi ka toleruar sistematikisht keqbërjet e brendshme të liderëve shqiptarë Nano dhe Berisha, mjaft që të mos destabilizonin Kosovën apo Maqedoninë. Thënë ndryshe, të luanin rol paqësor në rajon, të mos mbështesnin alternativa radikale, që çonin kah Shqipëria e madhe, gjë që ata e kanë bërë përgjithësisht. Por është i njohur një stereotip tjetër, dhe këtu mbërritëm tek tema në fjalë. Sa herë që këta liderë kanë pasur probleme në Shqipëri, ata janë munduar t’i eksportojnë ato jashtë saj. Kështu ka ndodhur në 1996-1997, kur Berisha që ndiente presionin e piramidave në Shqipëri, i kërkoi asokohe Ibrahim Rugovës që të organizonte në Prishtinë protesta të shqiptarëve, në sintoni me protestat e opozitës serbe në Beograd. Rugova, duke u thirrur në referendumin për pavarësinë e Kosovës, refuzoi dhe në skenë u ftua një figurë tjetër e shquar e shqiptarëve, Adem Demaçi. “Marrëveshja e 2009-s me Haradinajn”, që shqetësoi Thaçin, s’pati gjithashtu asnjë konkretizim. Për koincidencë ose jo, takimi me Haradinajn u zhvillua gjithashtu në kohën kur Shqipëria zyrtare ishte nën një trysni të fortë ndërkombëtare për cilësinë e zgjedhjeve. Ky takim në një farë mënyre ngjante si “hakmarrje e vogël ndaj Thaçit”. Ai ndërkohë, e faktorizonte ndërkombëtarisht Berishën si njeri që kishte në dorë stabilitetin e Kosovës, sepse mund të luante me dy karta: me qeverinë dhe opozitën e fortë të Haradinajt në Prishtinë. Në të njëjtën mënyrë dhe Nano ka tentuar të faktorizohet në sytë e ndërkombëtarëve në vitin 1999, qoftë pranë UÇK-së në Kosovë- megjithëse jo në mënyrë problematike-, qoftë në periudhën 2001-2005, pranë strukturave ushtarake dhe politike të udhëhequra nga Ali AhmetiMaqedoni. Emëruesi i përbashkët i këtij protagonizmi të Shqipërisë zyrtare është karakteri preferencial i marrëdhënieve të liderëve të saj me liderët e Kosovës apo të shqiptarëve të Maqedonisë. Madje, për fat të keq dhe liderët e Kosovës bëjnë të njëjtën gjë në Maqedoni. Është thellësisht e vërtetë se sot kryeministri Berisha është një figurë mjaft popullore në Kosovë, dhe se liderët e partive shqiptare mundohen ta joshin atë për fushatat e tyre të brendshme. Por prej tij, si përfaqësues zyrtar i Shqipërisë, nuk duhet të priten manovra pragmatike si ato që u përmendën. Ai duhet ta përdorë fuqinë që ka në Kosovë, për vepra përbashkuese të faktorit shqiptar në momente të caktuara, duke trajtuar në mënyrë të baraslarguar të gjitha subjektet politike. I ashtuquajturi solidaritet ideologjik i partive të një spektri ka kuptim midis Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe një partie të ngjashme në një shtet jo shqiptar dhe jo në Kosovë apo në Maqedoni. Ky preferencialitet në momente të caktuara, si ato që u përmendën më sipër, merr ngjyrim tjetër. Është e vërtetë se partitë parlamentare shqiptare sot kudo që veprojnë s’mund të shpallin bashkimin kombëtar si objektiv imediat. Por kjo s’duhet të pengojë faktorët më me rëndësi të tyre, që të zbatojnë kurdoherë një qasje panshqiptare, përbashkuese, pra të harmonizojnë qëndrimet duke respektuar interesin kombëtar, pa u ndarë në të ashtuquajturat aleanca ideologjike. Modeli? Le të shikojnë kombet e tjera në rajon, grekët apo serbët, për shembull. Harmonizimi i interesit kombëtar midis Serbisë zyrtare, serbëve të Bosnjës, serbëve të Kosovës, është diçka krejt e qartë. Gjithmonë.

KOMENTE