English

Zjarr i fuqishëm në Tiranë, digjet fabrika te ish-Poligrafiku, evakuohen banorët

Tiranë, 20 korrik 2011, NOA Update – Një zjarr i madh është përhapur pak momente më parë në mjediset e një fabrike plastmasi që ndodhet në zonën e ish-kombinatit Poligrafik në Tiranë.

Dëshmitarë nga vendngjarja thonë se flakët e zjarrit janë përhapur me shpejtësi në të tërë ndërtesën njëkatëshe ku ishte ngritur fabrika duke u përhapur edhe në zonën përreth.

Makinat zjarrfikëse ndodhen në këto momente në vendngjarje dhe po punojnë intensivisht për shuarjen e flakëve.

Janë disa makina të zjarrfikëseve që po tentojnë të vënë nën kontroll vatrën e madhe të zjarrit pa mundur ende ta shuajnë atë, ndërkohë që priten përforcime edhe nga zjarrfikëset e Durrësit.

Policia në vendngjarje ka nisur evakuimin e banorëve.

Sipas të dhënave në momentin kur ka rënë zjarri ka patur punëtorë në fabrikën e plastmasit, dhe dy prej tyre kanë pësuar djegie të rënda dhe janë dërguar me shpejtësi në spitalin “Nënë Tereza”.

Sipas policisë shkak i zjarrit mund të jetë shpërthimi i një kablli të tensionit të lartë të energjisë. Vijon...

mit/NOA

KOMENTE