English

Akuzat për manipulime me listat, Teliti padit për shpifje Gramoz Ruçin

Tiranë, 21 korrik 2011, NOA – Pas akuzave për importimin në listat e zgjedhësve në Tiranë të 40 mijë zgjedhësve nga qytete të tjera të vendit, një tjetër padi për shpifje publike mbërriti mëngjesin e sotëm në dyert e Prokurorisë.

Këtë herë i padituri për shpifje është kreu i grupit kuvendor të socialistëve, Gramoz Ruçi, i cili akuzoi Drejtorinë e Gjendjes Civile pranë Ministrisë së Brendshme se ka manipuluar listat e zgjedhësve duke shtuar emra të rinj edhe pas përpilimit të listave përfundimtare.

Drejtori i Gjendjes Civile, Armand Teliti gjatë dorëzimit të padisë kundër Ruçit në Prokurori deklaroi se akuzat e kryedeputetit socialist janë të pabaza dhe mashtrime prej tellalli, që nuk mund të mbulojnë dot humbjen e Edi Ramës në zgjedhjet për bashkinë e Tiranës.

Drejtori Teliti ndërsa e kallëzoi Ruçin për shpifje publike për shkak të detyrës, duke pritur që zgjidhjen t’ia japë drejtësia deklaroi se “Ruçi nuk mund të ngushëllojë të pangushëllueshmin për humbjen e Tiranës duke bërë tellallin. Uroj, që kjo padi të ndërgjegjësojë zotin Ruçi, që të mos bëhet më gazi i botës nëpër ekrane. Unë kam shumë besim tek drejtësia”, tha ai.

Më herët nga përfaqësues të PD-së janë paditur për shpifje në Prokurori edhe deputetët e PS-së, Ermonela Felaj dhe Eduard Shalsi, të cilët pas gjykimit do të duhet t’i paguajnë një dëmshpërblim deputetes demokrate Albana Vokshi.

mit/NOA

KOMENTE