English

Falja fiskale, Berisha: Dhunti e një shteti që funksionon

Tiranë, 21 korrik 2011 NOA – Pak minuta përpara se mazhoranca kuvendore të miratojë paketën fiskale, Kryeministri Berisha ka deklaruar se nga heqja e taksës së makinave dhe falja e detyrimeve kanë përfituar qytetarët shqiptarë.

“Falja është dhunti e një shteti që funksionon. Falja është virtyt i kodit moral të çdo shoqërie, të çdo shteti demokratik. Ligjet që kemi miratuar kanë patur ndikim në jetën e shqiptarëve dhe të tillë do të ketë dhe për 260 mijë familjet, që përfitojnë nga amnistia fiskale”, u shpreh kryeministri.

Ai garantoi se qeveria ka marrë dhe ndërmerr reforma të vazhdueshme, me të cilat përpiqet për të ulur shpenzimet e domosdoshme të tyre në shërbime, që të mund të frenohet rritja e kostos së jetesës.

Ai përmendi ligjet për faljen fiskale, të cilën e quajti “akt madhor” për 260 mijë familje, të cilat përfituan jo më pak se një borxh mesatar 1400 dollarë, i akumuluar gjatë viteve të periudhës së vështirësisë.

Berisha akuzoi opozitën se bllokoi në kuvend miratimin e ligjit për amnistinë fiskale. . Duke iu referuar paketës fiskale për 2011, dhe heqjes së taksave të mallrave të importuara për industrinë e veshjes, Berisha u shpreh i bindur se “Me këtë vendim ju i krijoni mundësinë të madhe industrisë së veshjes të shndërrohet në industri shqiptare.” Kryeministri premtoi se qeveria do të vazhdojë me reformat.

“Garantoj se qeveria ka marrë dhe ndërmerr reforma, me të cilat përpiqet me të gjitha mënyrat ligjore për të ulur shpenzimet e domosdoshme të tyre në shërbime, në mënyrë që kostoja e jetesës të mund të përshtatet me të ardhurat”, deklaroi kreu i mazhorancës në qeverisje.

Berisha ftoi deputetët të votojnë paketën e re fiskale, për vitin 2011, si pjesë e reformave të cilët ndikojnë pozitivisht direkt në xhepin dhe në jetën e qytetarëve shqiptar. Në themel të paketës së re fiskale janë heqja e doganës për automjetet, rritja e akcizës për karburantet, ulja e akcizës për birrën dhe heqja e tarifës doganore 10 për qind për veshjet.

Në këto momente, kuvendi, ku mungojnë deputetë së Partisë socialiste ka nisur votimin një nga një të ligjeve për paketën fiskale.

a.q/NOA

KOMENTE